Një tjetër humbje për Vllazninë, e dyta në dy ndeshje të zhvilluara në kampionatin e ri. Pasditen e sotme ajo është mundur edhe nga Skënderbeu me rezultatin 1-0, në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës,e cila ka qenë e prapambetura e javës së parë. Por më shumë sesa humbja, ajo që ka rënë në sy ka qenë një lojë e dobët e kuqebluve të cilët nuk kanë arritur për asnjë moment të dalin në lojën e tyre. Që në minutat e para Skënderbeu merr frenat e lojës, duke qarkulluar dendur topin dhe vënë menjëherë në presion shkodranët, të cilët detyrohen të mbrohen me forca të shumta.
Pas një tentative të Olainkës, në minutën e 15-të vjen edhe goli i parë për korçarët, kur Arapi me një gjuajtje potente në kufijtë e zonës shkodrane, shtang portierin malazez, që edhe pse është në pozicion, i shpëton topi nga duart dhe përfundon në rrjetë. Por 3 minuta më vonë dëmtohet Salihi, që detyrohet të lërë fushën e lojës. Pas një depërtimi të tij në zonë, shmang edhe portierin, por nga tejzgjatja, pëson një tërheqje në kofshën e djathtë dhe zëvendësohet nga Hristov. Dominim total i kampionëve, të cilët realizojnë edhe disa goditje këndi rresht. Shkodranët zbresin vetëm njëherë në fundin e këtij fraksioni, por Shehi është i vëmendshëm. E njëjta histori si në pjesën e parë, janë korçarët që ndërtojnë aksione njëri pas tjetrit. Berisha dhe Progni janë protagonistët e 3 aksioneve të bukura, por nuk shënojnë. Pas një goditje këndi provon edhe Olainka, por afrikani ka qenë i pafat. Në të 68-ën Nimaga do të humbte një tjetër rast të pastër për Skënderbeun. Në krahun tjetër, Vllaznia nuk arrin të ndërtojë qoftë edhe një aksion për t’iu afruar portës së Shehit, që më shumë ka qenë spektator në këtë ndeshje. Pas minutës ritmi i lojës bie ndjeshëm, ndërsa shkodranët më në fund arrijnë të krosojnë njëherë në zonë, por nuk ka rrezik.Skënderbeu kontrollon mirë ndeshjen në fund, duke mos lejuar ndonjë surprizë. Mbyllet 0-1 për korçarët, duke marrë 3 pikët edhe në këtë ndeshje. Vllaznia kësisoj pas javës së dytë të kampionatit ndodhet në kuotën e 0 pikëve, me dy humbje të pësuara dhe me asnjë gol të shënuar ndërkohë që ka pësuar tre të tillë. Kalendari i ndeshjeve në vazhdim është i vështirë teksa të dielën do të luajë ndaj Partizanit dhe patjetër që duhet kërkuar një rezultat pozitiv në mënyrë që situata të ndryshojë sepse ndryshe pasojat do të jenë më të mëdha.
www.shkodrasport.com