Tirana ka fituar pa shumë mund sonte në Shkodër ndaj Vllaznisë duke marrë një trepikësh shumë të çmuar që do ta ndihmojë atë për të zgjidhur problemet e shumta që e kanë pushtuar kohët e fundit. Bardhebluve u kanë mjaftuar 3-4 aksione dhe goditje në portën shkodrane për ta fituar këtë ndeshje ndërsa vendasit kanë kontrolluar gjithçka në 80 minuta por gjithsesi kanë dalë të zhënjyer nga kjo ndeshje. Brenda një jave, Vllaznia ka kaluar momente shumë dramatike, shoqëruar me eliminimin në kupë dhe dy humbje në kampionat duke ia ndërlikuar jo pak pozitat.Në 45 minutat e para, Vllaznia është dominuese në lojë, madje ajo ka patur rastin më të pastër për të kaluar në avantazh kur Smajli ka goditur fillimisht traversën pas një goditje me kokë dhe pastaj ka gjuajtur sërish me të majtën por topi ka përfunduar jashtë. Gjatë kësaj pjese kanë qenë edhe 2-3 raste të tjera të shkodranëve megjithatë ata nuk kanë arritur të konkretizojnë ndërsa të gjithë të pranishmëve në stadium u bën përshtypje loja shumë e dobët e Tiranës në këtë pjesë. Pjesa e dytë nisi me të njëjtën mënyrë loje. Janë vendasit ata që duan të shënojnë me çdo kusht, kanë më shumë dëshirë dhe grintë, kontrollojnë mesfushën por goli nuk del në dritë. Për këtë arsye, trajneri Duro hedh në fushë një sulmues si Hysa dhe largon një mesfushor si Nallbani. Një lëvizje që nuk rezulton ashtu siç duhet. Hysa jo vetëm që nuk bëri gjë në sulm por me daljen e Nallbanit, mesfushën e mori nën kontroll Tirana. Gilman Lika dhe Duro fillojnë të shohin më përpara. Ata godasin dy herë drejt portës së Vujadinoviç derisa mbërrihet tek minuta e 79-të. Gilman Lika kalon dy mbrojtës të Vllaznisë, kërkon të kalojë edhe Beqirin por ky I fundit  e pengon në mënyrë të parregullt Brenda zonës dhe gjyqtari akordon 11-metërsh. Nga pika e bardhë është I saktë Klodian Duro dhe këtu ndeshja mbaron ndonëse ka edhe 10 minuta lojë. Vllaznia në të sajën ushtron presion për të barazuar por mungojnë rastet dhe për rrjedhojë takimi mbyllet me fitoren e Tiranës 1-0, një fitore që shton edhe më tepër problemet në kampin shkodran.
Vllaznia- Tirana 0-1
Vllaznia: Vujadinoviç, Smajli, Osmani, Beqiri, Begaj, Belisha, Dema, Nallbani (Hysa 64’), Deliç, Hajdari, Rexha. Tr: Sh. Duro
Tirana: I. Lika, Pisha, Ferraj, Pashaj, Taku, Muçollari (Peposhi ’68), Karabeci, K. Duro, G. Lika, Morina (Limani 46’), Çota. Tr: A. Tafaj
Shënues: K. Duro ’80 (11-m)
Gjyqtarë: R. Sadiku, R. Preça, E. Gançi (Elbasan)
Kartona të verdhë: Nallbani, Beqiri/ Taku, Muça

www.shkodrasport.com

Nga ndeshja e sotme

Vllaznia- Tirana 0-1