Vllaznia në basketboll për meshkuj ka humbur ndeshjen e gjashtë në Ligën Ballkanike, ndërsa është dorëzuar në sekondat e fundit duke u mundur nga Rahoveci, 78-73. Para fillimit të takimit të dyja skuadrat kanë mbajtur një minutë heshtje për legjendën e basketbollit amerikan dhe atij botëror, Kobi Brajan, i ndarë nga jeta të dielën në një aksident tragjik.
Një ndeshje, të cilën kuqeblutë e kanë kryesuar në pjesën më të madhe të takimit. Madje janë shkëputur që në fillim 8-0 për ta mbyllur periodën e parë 19-21. Kosovarët e Rahovecit kanë dhe mbështetjen e publikut, që e kishte mbushur plot Pallatin e Sportit “Mizahir Isma”.
Madje do të jetë ndër ndeshjet e vetme të Ligës Ballkanike që kishte një gjyqtar nga Shqipëria si ndërkombëtari Ervin Koçi, një gjyqtar kosovar si Xhelal Mumini dhe i vetmi asnjanës ishte malazezi Ognjen Jokiç. Edhe perioda e dytë është fituar nga Vllaznia, 17-20 dhe në pushim shkodranët janë në një avantazh prej pesë pikësh diferencë, 36-41.
Luhet mirë edhe në periodën e tretë, ndonëse vendësit kanë marrë të tjera udhëzime, ndërsa fitojnë në të tretë 23-20 dhe Vllaznia është vetëm me dy pikë avantazh, 59-61. Rahoveci jo vetëm që barazon në 73-73. Realizon dhe trepikëshin 76-73. Dhe në dy sekondat e fundit të lojës i vë vulën suksesit, 78-73.
Në këtë mënyrë, Rahoveci në vendin e katërt me 9 pikë, kurse Vllaznia, me një fitore dhe gjashtë humbje, në fund me 7 pikë. Të mërkurën në ora 17:00 do të luajë ndeshjen e fundit të Ligës Ballkanike me bullgarët e Akademik Bulteks 99, në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, takim i cili do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar për t’iu përkushtuar më pas Kupës së Shqipërisë dhe kampionatit.
RAHOVECI – VLLAZNIA 78-73
(19-21, 17-20, 23-20, 19-12)
RAHOVECI: Darell Davis (25), Morina (12), Veseli (8), MekFolej (14), Kraig (8)/Nuanko (4), Xhonson (7), Koshi Trajner: M.Ilievski
VLLAZNIA: Vos (11), Kusovac (27), Ros (10), Harrison (14), Faslija (6)/Shestani (2), Rakaj (3), Bekteshi Trajner: D.Vujaçiç
GJYQTARË: O.Jokiç (Mali i Zi), E.Koçi (Shqipëri), Xh.Mumini (Kosovë)