Pritej ndoshta edhe fitorja e Vllaznisë në ndeshjen e sotme në Tiranë ndaj ekipit Kamza Basket por nuk ka ndodhur kështu. Kjo e fundit ka vazhduar serinë e fitoreve në kampionat duke arritur atë të rradhës teksa ka mundur edhe rivalin kryesor në luftën për titull. Rezultati përfundimtar i fiksuar në fund të 40 minutave të lojës ka qenë 90-79 për Kamza Basket. Ndeshja nuk ka filluar shumë mirë për shkodranët që e kanë humbur periodën e parë në shifrat 16-27 megjithatë në të dytën ndryshojnë gjithçka dhe për rrjedhojë e kanë fituar atë me rezultatin 27-14. Në këtë mënyrë, në pushimin e ndeshjes Vllaznia ka shkuar me dy pikë avantazh, 43-41. Kjo epërsi e lehtë jepte shpresa se ajo do ta fitonte ndeshjen por nuk do ndodhte kështu. Perioda e tretë dhe e katërt janë dominuar lehtë nga kryesuesit aktualë të kampionatit, basketbollistët e Kamza Basket që i kanë fituar ato 24-18 dhe 25-18 duke fituar krejt ndeshjen kësisoj me rezultatin 90-79. Duhet thënë se ekipi shkodran nuk është paraqitur në nivelin e tij më të mirë në këtë ndeshje dhe po ashtu ka patur edhe disa kontestime për gjyqtarët. Basketbollisti malazez i Vllaznisë Nikolla Gjokoviç ka shënuar plot 35 pikë në këtë ndeshje, gati gjysmën e pikëve të skuadrës së tij dhe bashkë me Hysenagolin e Kamza Basket kanë qenë pikëshënuesit më të mirë të takimit.
www.shkodrasport.com