
Sa I takon lojës, pavarësisht shumë mungesave, Vllaznia u shfaq si e barabartë në fushë ndaj Skënderbeut kampion në fuqi dhe pretendent edhe këtë sezon. Gjatë 45 minutave të para, kuqeblutë luajtën me shumë kujdes në mesfushë por edhe duke parë herëpashere përpara me anë të Bakajt dhe Dycës Korçarët ndërkohë nuk patën ndonjë as në lojë dhe as në raste. Në pjesën e parë vetëm në dy raste Latifi tentoi të rrezikonte portën e Agoviç por pa sukses. E dyta nis më mirë për Skënderbeun që brenda 10 minutave të para shfaqet rreziksh para portës vendase megjithatë me kalimin e minutave gjërat normalizohen në fushë. Do të ndodhë kështu deri në minutën e 67-të kur mbrojtësit e Vllaznisë nuk e largojnë ashtu si duhet topin nga zona dhe nga kjo përfiton Latifi që gjuan tokazi duke e dërguar topin në rrjetë. Një gol që prish ekuilibrat në fushë dhe për rrjedhojë trajneri Cungu hedh në fushë edhe Hebajn e Krujën. Megjithatë rastet për Vllazninë mungojnë dhe minutat kalojnë. Skënderbeu arrin ta administrojë ashtu si duhet avantazhin e krijuar dhe për këtë arsye, edhe katër minutat e shtesës nuk sjellin asnjë ndryshim. Korçarët kanë arritur të fitojnë me rezultatin 1-0 dhe të ndjekin ëndrrën e tyre drejt titullit të shtatë kampion rradhazi ndërkohë që Vllaznia rikthehet me këmbë në tokë duke menduar tashmë për sfidën e rradhës me Luftëtarin teksa rruga e saj për arritjen e objektivit vështirësohet edhe më shumë.
© shkodrasport.com