
Pjesa e parë Ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme ky takim për skuadrën e Flamurtarit që vijon luftës për të shpëtuar nga kjo agoni e gjatë e rrezikut të rënies nga kategoria. Vlonjatët kanë kaluar në avantazh vetëm 7 minuta pas fillimit të takimit. Ishte Bushiç ai që ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme atë krosim të Telushit nga goditja e dënimit, për të fituar duelin me mbrojtjen shkodrane, sikurse dhe me portierin e Vllaznisë, Selimaj, për të dërguar topin në rrjetë. Me epërsinë e siguruar që në fillim, vlonjatët nisin të administrojnë më mirë energjitë dhe hapësirat, ndërkohë që shkodranët tentojnë të përgjigjen me Bakajn por pa sukses. Tentativa më konkrete nga kampi i Vllaznisë regjistrohet në minutën e 33’, kur Halilaj ka neutralizuar një përpjekje të shkodranëve, pasi ka grushtuar një top të fuqishëm të goditur nga jashtë zone nga Gocaj.
Pjesa e dytë Edhe ky fraksion i dytë loje ka folur në favor të vendasve, të cilët shumë shpejt do të dyfishonin epërsinë e tyre ndaj shkodranëve. Rreth 15’ minuta nga rifillimi i takimit, Flamurtari ka thelluar epërsinë në 2-0, kësaj here falë golit të realizuar nga Alves. Braziliani triumfon mbi mbrojtjen e Vllaznisë për të goditur me kokë topin e servirur nga e djathta, për të mposhtur më pas edhe Selimajn, duke dërguar topin në rrjetë. Pas golit të dytë është Vllaznia ajo që përpiqet të reagojë, me rastin më flagrant në minutën e 71’, kur Bardulla ka goditur traversën, pas një gjuajte fantastike nga jashtë zone. Një tjetër traversë për shkodranët është regjistruar në minutën e 90’, kësaj here me protagonist Tafilin, por pavarësisht tentativave të Vllaznisë, porta e vendasve ka mbetur e paprekur deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit.
© shkodrasport.com