Ka ndodhur ajo që pritej. Klubi i Futbollit Vllaznia ka ndërprerë kontratën me futbollistin Yll Hoxha. Kontrata është mbyllur me mirëkuptim në mes palëve dhe ato i kanë uruar suksese njëri- tjetrit. Kjo bëhet e ditur edhe në një komunikatë që ka shpërndarë klubi shkodran në faqen e tij zyrtare:
Komunikatë për shtyp
Klubi i Futbollit Vllaznia bën të ditur se ka zgjidhur me mirëkuptim të plotë marrëveshjen kontraktuale me lojtarin Yll Hoxha. Përmes kësaj komunikate, klubi i dërgon faleminderimet përkatëse për kontributin profesional të lojtarit pranë Vllaznisë si dhe i jep urimet më të sinqerta për një vazhdimësi sa më të mirë dhe të gjatë në karrierën e tij si futbollist.
Natyrisht që kjo pritej.Fakti që vetë lojtari nuk ka qenë i kënaqur me aktivizimin e tij dhe po ashtu, edhe pakënaqësia që trajneri Cungu ka shfaqur në lidhje me formën e lojtarit, do të çonin padyshim në një ndarje të tillë. Kuqeblutë në këtë mënyrë tashmë kanë një vend më pak në organikë dhe ndoshta do të tentojnë ta mbushin në merkaton e janarit.
© shkodrasport.com