Barazimi i fundit me Tomorin ka bërë që te Vllaznia të nisin “ethet” e kalimit në zonën e “play out”-it, gjithnjë nëse do të humbasë në dy takimet e ardhshme. Numri një i pankinës shkodrane, Armir Grima, dhe stafi i tij kishin shumë besim se skuadra që drejtojnë do ta zgjidhte këtë çështje, por ndaj beratasve loja e Vllaznisë ka qenë zhgënjyese. Edhe pse për mediat stafi teknik nuk ka pranuar të prononcohet për këtë takim, me lojtarët ata kanë qenë tepër të ashpër. Nga sa mësohet, nuk kanë munguar kritikat e forta që në mbarim të takimit për të gjithë lojtarët pa përjashtim. Tekniku Grima ka qenë mjaft i revoltuar për atë çka kanë dhënë të tijtë, por edhe për rrezikshmërinë që mund të sjellë një paraqitje e tillë në dy takimet e fundit, sa i përket zonës së “play out”-it. Mërzitjet e numrit një të pankinës shkodrane kanë pasur si shtysë të vetme lojën tepër të vakët të ekipit të tij në të gjithë aspektet, sidomos në vijën e sulmit. Shqetësimi – Drejtuesit e klubit Vllaznia nën zë pranojnë se ndihen të shqetësuar për dy takimet e fundit të kampionatit, nga të cilët shkodranët matematikisht duhet të marrin edhe dy pikë për t’i shpëtuar ndeshjes shtesë. Nëse para përballjes me Tomorin shihej si mundësi të qenit në 6-shen më të mirë, tani gjithçka është sfumuar. Kuqeblutë duhet të bëjnë kujdes që të mos gabojnë në përballjen e kësaj fundjave, në mënyrë që të mos u duhet të luajnë 90 minutëshin e fundit nën “ethet” që sjell zona “play out”. Për krerët, tashmë gjithçka do të varet nga ajo që lojtarët do të paraqesin në këto dy përballje të fundit. Një situatë aspak e këndshme për stafin e ri të Vllaznisë, që duhet thënë se ka ndryshuar shumë në klimën e skuadrës, por nuk kanë mundur ndoshta të gjejnë tek lojtarët e tyre atë freski, grintë dhe impenjim që nevojitet.
Llogaritë – Shkodranëve, nisur nga llogaritë, u duhen të paktën 2 pikë për t’i shpëtuar ndeshjes shtesë. Në fakt, një gjë e tillë duket më se e arritshme për nivelin e skuadrave që do të kenë përballë, si Dinamo dhe Shkumbini. Por që për drejtuesit kjo nuk shikohet si llogaria që duhet të bëjë ekipi i tyre në këto dy javë të mbetura. Ata tani më shumë se kurrë do të kërkojnë të motivojnë në këto dy përballje të mbetura skuadrën e tyre. Krerët kuqeblu kërkojnë të harrojnë atë lojë të dobët të treguar në këtë takim dhe të gjejnë impenjimin e duhur tek lojtarët, në mënyrë që pas javës së parafundit të këtij sezoni t’u jenë larguar llogaritjeve matematikore. Gjithsesi, këto dy javë do të jenë decizive për Vllazninë.

Admir URUÇI