Vllaznia vazhdon të jetë në alarm për takimin me Teutën. Halli i Mirel Josës është padyshim reparti i mbrojtjes. Tashmë duke qenë se, Dajan Shehi do të jetë një tjetër mungesë e rëndësishme ndaj Teutës, është krijuar një hapësirë e madhe në prapavijë, aq më tepër edhe pas daljes me kartonin e kuq të mesfushorit të adaptuar në mbrojtës të krahut të djathtë, Arsid Kruja.
Me sa duket për takimin ndaj Teutës, mbrojtja e Vllaznisë është tërësisht në alarm. Dilema e Josës është se cili nga futbollistët do të luajë pas këtyre problemeve të shfaqura. Me shumë mundësi, në fushë do të jetë Flori Spahija si qendërmbrojtës. Megjithatë, për t’u parë është edhe fakti nëse do të eksperimentohet sërish.
Në fakt, dihet që Vllaznia ka dy mungesa tepër të rëndësishme, pikërisht në qendër të mbrojtjes si Marko Juriç dhe Darko Bulatoviç, të cilët kanë probleme dhe nuk do të luajnë ndaj Teutës. Megjithatë, tashmë trajneri Josa duhet të bëjë llogaritë edhe pa dy futbollistë të tjerë me shumë peshë, siç janë Arsid Kruja dhe Dajan Shehi.
Realisht, Josa ka improvizuar në repartin e mbrojtjes në javët e fundit për shkak të mungesave dhe një gjë të tillë mund ta bëjë edhe këtë ndeshje ndaj Teutës.
Në përballjen e fundit të këtij viti ndaj durrsakëve, me sa është parë me shumë gjasa, mbrojtja do të jetë tërësisht shkodrane, me Smajlin nga e djathta, kapitenin Gurishta dhe Spahijën në qendër, si edhe në të majtë Hakajn.
Maringlen ZHIVANI