Ka ndodhur sërish edhe këtë vit. Ekipi i atletikës së Vllaznisë për meshkuj është shpallur përsëri kampion i vendit. Kampionati i zhvilluar për dy ditë me rradhë në Tiranë e që është mbyllur me kurorëzimin e ekipit shkodran si fitues pasditen e sotme. Atletët e drejtuar nga trajnerët Albert Marashi, Vildan Tufi, Isak Bala, Fatjon Serhati dhe Dorian Tafa kanë dominuar mbi kundërshtarët e tyre duke fituar me shumë pikë diferencë ndaj Tiranës që u rendit e dyta. Vllaznia në fund të kampionatit, ka arritur të grumbullojë 213 pikë ndërsa Tirana e vendit të dytë vetëm 160. Kjo tregon më së miri për epërsinë e atletëve shkodranë. Ajo në fakt ka nisur që në ditën e parë, në garat e djeshme. Kanë qenë tre vende të para për atletët e Vllaznisë. Kështu, në 400 metra Lulëzim Çengeli është shpallur kampion me kohën 50″32, në trehapësh është Izmir Smajlaj kampion teksa ka kërcyer 15.20 m ndërsa vend të parë ka zënë edhe Vllaznia si ekip në stafetën 4 x100 m me kohën 43″33. Tre vende të para edhe në garat e sotme teksa Elvedin Meti është shpallur kampion në garën e 200 m me kohën 22″30, Besmir Pepa kampion në hedhjen e shtizës me 57.64 m dhe Izmir Smajlaj në kërcim së gjati sërish kampion me 7.56 m. Në këtë mënyrë, është mbyllur me sukses ky atlet duke treguar dominimin e atletëve shkodranë edhe për këtë vit. Ata i kanë bërë një mbyllje të shkëlqyer këtij sezoni sportiv teksa kanë fituar gjithçka, kampionatet e moshave, kupën e Shqipërisë për të rritur dhe tashmë edhe titullin kampion. Historia e sukseseve në këtë mënyrë vazhdon sërish për të.
Gjergj KOLA