Vllaznia në atletikë do të synojë fitoren e titullit të 10-të rradhazi kampion.
Një sukses që do të tregonte më së miri për dominimin e saj në dekadën e fundit në të gjithë kampionatet e zhvilluara.
Pritshmëria është e madhe të ndodhë kështu sepse sportistët dhe trajnerët e këtij ekipi ka kohë që përgatiten për këtë kampionat.
Garat e tij do të zhvillohen të ndara në dy ditë, të martën dhe të mërkurën.
Ato do të zhvillohen në Elbasan, aty ku Federata Shqiptare e Atletikës zhvillon të gjitha aktivitetet e saj zyrtare.
Vllaznia do të tentojë të kompletojë titujt kampionë të fituar me moshat 16,18 dhe 20 vjeç gjatë këtij viti dhe po ashtu edhe atë të Kupës së Shqipërisë.
Normalisht, që titulli kampion do jetë “qershia mbi tortë” për gjithë këto suksese dhe të gjithë janë të bindur se do ia dalin.
Elementi që ka në dispozicion ekipi shkodran për këtë kampionat, pavarësisht largimeve që ka patur, është sërish i bollshëm dhe cilësor për ta arritur këtë objektiv.
Përveçse të bindur në suksesin si ekip, drejtuesit e Vllaznisë janë të vendosur për të dominuar edhe në disa disiplina në garat individuale.
Padyshim që vëmendja kryesore do të jetë e përqendruar tek Kampioni i Europës Izmir Smajlaj.
Ai do të tentojë jo vetëm vende të para në kërcim së gjati dhe trehapësh por do të synojë edhe rezultate të larta dhe pse jo edhe rekorde kombëtare.
Të njëjtën gjë pritet të tentojë edhe Franko Burraj në garat e 200 dhe 400 metrave.
Ndërkohë kampionë si individë pretendojnë të dalin edhe Ravio Rama, Gledis Halluni, Ergys Gjeçaj e ndonjë tjetër.
E rëndësishme është që Vllaznia të jetë sërish kampione e Shqipërisë edhe këtë vit duke plotësuar një dekadë në podium me kupën e kampionit në duar.
Një sukses që do të ishte i jashtëzakonshëm dhe që tregon më së miri punën e shkëlqyer që bëhet tek ky ekip nga trajnerët dhe sportistët.
www.shkodrasport.com