shkodrasport.com
Vllaznia në Ballsh me formacionin e dytë
Skuadra shkodrane do të luajë nesër në Ballsh në ndeshjen e fundit të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë ndaj Bylisit vendas me formacionin e saj të dytë. Kështu është vendosur nga ana e stafit drejtues të saj teksa lojtarët titullarë do qëndrojnë në Shkodër me njërin nga trajnerët për të vazhduar stërvitjen. Ajo çfarë është më e bukura, pavarësisht se Ballshi është jo pak larg, ekipi i Vllaznisë nuk është nisur si zakonisht një ditë përpara, por do niset nesër në mëngjes. Pikërisht ky nënvleftësim do të thotë se Vllaznia nuk do luftojë shumë për vendin e parë në grup por do “t’ia dhurojë” atë Bylisit, gjoja me mendjen tek përgatitjet e ndeshjes së kampionatit me Shkumbinin. Të renditurit në vendin e dytë në grup, do të thotë që Vllaznia të luajë me Laçin dhe Flamurtarin në një grup ndërkohë që pritet edhe përcaktimi i skuadrës tjetër, që do jetë njëra mes Kastriotit dhe Skënderbeut.Me skuadrën drejt Ballshit nesër do të udhëtojnë edhe Petroviç dhe Gocaj, dy lojtarët që nuk do jenë në Peqin për shkak kartonash. Formacioni i mundshëm i Vllaznisë nesër ndaj Bylisit do jetë ky: Gjokoviç, Balaj, Petroviç, Danaj, Gocaj, Karakaçi, Tafa, Markolaj, Shaba, Erkoçeviç, Gjini.