Kur viti 2018 po shkon drejt fundit, thuajse të gjithë kampionatet dhe aktivitetet sportive janë ndërprerë dhe I vetmi që vazhdon të luhet është ai I basketbollit për të rinj. Fillimi me vonesë I tij ka bërë që Federata të programojë zhvillimin e ndeshjeve edhe në këto ditë të fundit të vitit.
Kështu, ndeshjet e javës së gjashtë janë zhvilluar para dy ditësh por ato nuk kanë qenë të fundit sepse nesër do të luhen ndeshjet e javës së shtatë. Në këtë kampionat merr pjesë edhe ekipi I të rinjve të Vllaznisë I cili në fakt nuk ka patur një ecuri të mirë sivjet. Në ndeshjen e rradhës ato kanë luajtur në Durrës ndaj “Goga Basket” dhe janë mundur me rezultatin 75-54.
Duhet thënë se “Goga Basket” është aktualisht ekipi më I mirë I kampionatit dhe jo më kot kryeson renditjen. Nga ana tjetër, ekipi shkodran sivjet ka pësuar ndryshime në drejtimin e tij. Pas shumë vitesh në postin e trajnerit është larguar nga drejtimi I mirënjohuri Roland Koka dhe vendin e tij e ka zënë Fatjon Halluni.
Edhe në ndeshjen ndaj “Goga Basket” ekipi nuk arriti të ngjitej në lartësinë e duhur duke mos dalë dot në lojën e tij. Duhet thënë se Vllaznia në basketboll për të rinj e ka nisur me problem këtë sezon sepse disa nga lojtarët kryesorë të ekipit kaluan tek të rriturit, pavarësisht moshës së tyre të re.
Kjo prishi disi raportet në skuadër dhe jo më kot, pas gjashtë javësh kampionat, Vllaznia ka arritur të fitojë vetëm dy ndeshje dhe ka humbur katër të tjera duke mbajtur aktualisht vendin e nëntë në renditje. Megjithatë pritet që nga java në javë paraqitjet e ekipit të vijnë në rritje.
Ndërkohë nesër do të luajnë ndeshjen e fundit të këtij viti teksa Vllaznia do të udhëtojë drejt Tiranës për të luajtur ndeshjen e rradhës ndaj “Real Basket”, me të cilin do të kërkojë padyshim fitoren.
© shkodrasport.com