Skuadra e Vllaznisë në basketboll për të rritur zyrtarisht konfirmohet si një nga ekipet që këtë sezon do të rivalizojë denjëisisht në grupin A. Ditët e fundit me skuadrën që drejtohet nga trajneri Bledar Gjeçaj të gjithë basketbollistët kanë hedhur firmat duke nënshkruar kontrata njëvjeçare me Vllazninë. Kështu pas një periudhe të gjatë përgatitjesh ka ardhur edhe momenti firmosjes kontratave. Këtë vit, krahasuar me dy sezonet e fundit kuqeblutë e basketbollit kanë janë përforcuar ndjeshëm duke risjellë në skuadër baskëtbollistë që vitet e fundit kanë luajtur me ekipe të tjera apo kanë qëndruar pushim. Kështu ndër më të rëndësishmit janë firmat e dy basketbollistëve me eksperiencë Ervin Bërdica dhe Adrian Nexhimi. I pari në rolin e organizatorit dhe ndoshta sërish me shiritin e kapitenit shquhet për shpejtësinë, aftësitë teknike dhe lojën organizative dhe i dyti me trup shtatlartë, i fuqishëm dhe i saktë në lojën nën kosh. Të dy këta para se të rikthehen në skuadër kanë qëndruar pushim duke mos qenë me asnjë ekip pavarësisht ofertave që kanë patur nga disa ekipe brenda vendit. Të rëndësishëm janë edhe rikthimi i Fatjon Taraboshit dhe Erjon Llazanit. Taraboshi sezonet e fundit ka luajtur me Teutën dhe rikthehet nga atje për të qenë sërish pjesë e Vllaznië ndërsa Llazani ka qenë pjesë e Universitetit Amerikan të Tiranës, te dy tashmë kanë firmosur për ekipin kuqeblu. Pas një largimi disa ditor edhe Gjon Ndoja ka është konfirmuar si basketbollist i Vllaznisë për sezonin e ri që akoma nuk dihet se kur mund të fillojë. Shtatlarti Faslija edhe ai ka pranuar ftesën e Vllaznisë duke rinovuar kontratën me këtë ekip. Gjoka, Domja e Halluni prej vitesh basketbollist me skuadrën shkodrane edhe këtë sezon kanë vendosur të jenë pjesë e këtij ekipi. Në këtë mënyrë duke patur këto lojtarë me eksperiencë si dhe disa basketbollistë cilësor nga ekipi i të rinjve, Vllaznia është e destinuar për të qenë një skuadër pretendente. Trajneri Bledar Gjeçaj fillimisht kërkon vetëm sigurimin e pjesëmarrjes në Play Off, më pas duke rritur përgatitjet gjatë gjithë vitit mund të tentohet për të sjellë trofeun e kampionatit që mungon prej shumë vitesh në Shkodër.