Boksierët e Vllaznisë “rrëmbejnë” edhe një tjetër titull kampion. Këtë herë atë të 18 vjeçarëve. Verdikti është dhënë pas përfundimit të finaleve të këtij kampionati që u zhvillua për dy ditë me rradhë në Shkodër dhe që përfundoi pasditen e sotme me kurorëzimin e shkodranëve. Ata kanë shpallur pesë boksierë kampionë në peshat respektive dhe për këtë arsye, kanë merituar edhe kupën e ekipit kampion.
Kampionët nga ekipi i Vllaznisë kanë qenë Shpëtim Bajoku në peshën 56 kg, Asmir Skutina në peshën 60 kg, Patriot Berami në peshën 64 kg, Xhoi Eljazi në peshën 69 kg dhe Besart Pireva në peshën 75 kg. Pikërisht ky sukses i boksierëve në peshat respektive ka çuar në dorëzimin e kupës së ekipit kampion nga presidenti i Federatës Florent Kalivopulli në duart e trajnerit Jozef Sermi, i cili bashkë me Artur Drinin por edhe me Besnik Limanin dhe Lazarin Vilën, pa lënë mënjanë edhe Zef Gjoni, kanë kontribuar në suksesin e rradhës të boksit shkodran. Në vend të dytë si ekip është renditur Apolonia me tre vende të para dhe në të tretin Tirana me një vend të parë. Sakaq, Muhamet Qamili i Apolonisë është vlerësuar si boksieri i perspektivës, Rudolf Mata po i Apolonisë është vlerësuar si boksieri më luftarak, Asmir Skutina i Vllaznisë është vlerësuar si boksieri më teknik ndërsa kupa e boksierit më të mirë ka shkuar për një tjetër sportist të Vllaznisë, Patriot Beramin.
© shkodrasport.com