Ekipi kampion i Shqipërisë në basketboll për meshkuj- Vllaznia e Shkodrës, ende nuk dihet nëse do të rregjistrohet sërish për të marrë pjesë edhe në edicionin e rradhës të Ligës Ballkanike. Kjo ngaqë për të ekzistojnë disa pengesa të cilat duhen zgjidhur më parë dhe pastaj mund të konfirmohet pjesmarrja. Pengesa kryesore është ajo financiare. Për të marrë pjesë edhe në edicionin e ardhshëm të kësaj Lige, sigurisht që duhet një Vllazni më ndryshe dhe për këtë arsye, duhen më shumë shpenzime. Drejtuesit e shoqatës së basketbollit të Vllaznisë janë në pritje të përfundimit të zgjedhjeve për kryetarin e ri të Bashkisë Shkodër dhe vetëm pasi ai (në fakt ajo) të jetë zgjedhur, do të trokasin në derën e saj për të kërkuar ndihmë.
Pjesmarrja sërish në këtë kompeticion kërkon lojtarë më cilësorë në mënyrë që të përballohet siç duhet përballja me ekipe të Rajonit që shpenzojnë shumë për të marrë lojtarë cilësorë. Fakti që fituese e edicionit të kaluar u shpall Sigal Prishtina, ekip që kishte harxhuar 700- 800 mijë euro për të ndërtuar atë ekip, vërteton më së miri atë se duhen fonde. Pjesmarrja e Vllaznisë vërtetë është modeste por ndaj kundërshtarëve të veçantë patjetër që duhet të kërkojë fitore dhe jo të ndodhë si edicionin e kaluar kur në tetë ndeshje të zhvilluara, pësoi tetë ndeshje dhe përpos kësaj, pati edhe shumë probleme rrugës, duke nisur nga humbja në tavolinë e ndeshjes me Mornarin për mosfunksionim të tabelës elektronike, problemet me parketin e pallatit të sportit etj.
Gjergj KOLA