Mesditën e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” do të luhet ndeshja e fundit e kampionatit kombëtar të futbollit të femrave, ajo në mes Vllaznisë dhe Pogradecit.
Ky takim do të nisë në orën 12.00 dhe është krejt formal sepse ekipi shkodran e ka siguruar titullin kampion prej javësh.
Menjëherë pas përfundimit të tij, do të zhvillohet edhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe e kupës për ekipin e Vllaznisë.
Ky është titulli i pestë kampion rradhazi për të. Një sukses i shkëlqyer i vajzave të këtij ekipi, i stafit teknik dhe mbi të gjitha i presidentit Lazer Matija që vazhdon të thyejë rekord pas rekord nën drejtimin e tij.
Investimi i bërë po jep frutet e veta dhe padyshim që Vllaznia femra është një model për mënyrën e punës që zhvillohet në të.
Kjo festë e këtij ekipi vjen në një moment kur futbolli shkodran është duke kaluar një periudhë të vështirë me Vllazninë e meshkujve që rrezikon të bjerë nga Superliga.
Por gjithsesi në Shkodër trofetë vijojnë të fitohen.
Sot do jetë rradha e ekipit të femrave për të festuar, nesër do jetë Vllaznia U-19 që do të ngrejë një tjetër kupë.
www.shkodrasport.com