www.shkodrasport.com
Vllaznia në gjysmëfinale të Kupës ndaj Kamza Basket
Federata Shqiptare e Basketbollit më në fund e ka përcaktuar skemën me të cilën do zhvillohet sivjet Kupa e Shqipërisë. Megjithëse mendohej të kishte një pjesmarrje të gjërë, në fund është rënë dakord që në finalet e këtij kompeticioni të marrin pjesë vetëm katër skuadrat e renditura në katër vendet e para në gjysmën e parë të kampionatit. Kjo e njëjta gjë, si për meshkuj ashtu edhe për femra. Vllaznia për femra është më poshtë në renditje pra nuk do marrë pjesë në këtë kompeticion, ndërsa ekipi i meshkujve po. Madje edhe formula e ndeshjeve është e përcaktuar teksa skuadra e vendit të parë luan me atë të vendit të katërt dhe e dyta me të tretën. Vllaznia pikërisht është në vend të tretë në kampionat dhe për rrjedhojë do luajë në gjysmëfinale ndaj ekipit Kamza Basket. Ndeshja do të luhet më datën 28 janar, në orën 16.00 në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit. Nëse Vllaznia e fiton këtë ndeshje, atëherë një ditë më pas do diskutojë finalen me fituesen e çiftit Tirana- Teuta. Megjithatë skuadra shkodrane nuk ka shumë pretendime në këtë aktivitet sepse e tillë është përbërja e saj.