I nxehti I qershorit tashmë ka filluar të ndihet jo pak por në Shkodër duket se kanë më shumë nxehtë sesa duhet. Sidomos tek drejtuesit e klubit Vllaznia, të cilëve punët nuk po u shkojnë ashtu siç duhet. Ata kanë filluar prej ditësh punën për merkaton e verës me objektiv forcimin e skuadrës me lojtarë cilësorë por ndërkohë nuk kanë arritur të bëjnë realitet asnjë blerje deri tani. Kontaktet nuk kanë munguar. Nga ana e drejtuesve në fakt, nuk merren vesh shumë gjëra. Ata gjoja duan t’I bëjnë të fsheshta bisedimet me këta futbollistë që kërkojnë dhe nuk vonon një apo dy ditë dhe vetë lojtari prononcohet në media duke thënë se “Vllaznia më ka bërë një ofertë të mirë” por jam duke shqyrtuar edhe ofertat e tjera. Nga sa merret vesh, shkodranët kanë qenë shumë pranë arritjes së marëveshjes madje është menduar se do hidhej firma në kontratë me mbrojtësin lezhjan të Tiranës Erjon Dushkun. Përveç ofertës së mirë financiare, për t’I mbushur mendjen të vishej kuqeblu, kanë hyrë në lojë edhe shumë miq të futbollistit nga Shkodra por duket se asnjëri prej tyre nuk ka arritur ta bindë atë sepse mesa duket lojtari do qëndrojë sërish tek Tirana. Përveç tij, dëshira ka qenë e madhe për të marrë edhe sulmuesin e Teutës Çota. Edhe me të thuhet se akordi ka qenë shumë pranë dhe mungonte vetëm firma. Firmë që nuk erdhi kurrë sepse mesa duket lojtari e përdori emrin e Vllaznisë për “të rritur pazarin” e tij tek Tirana. Edhe në këtë mes dështimi duket shumë pranë. Pas tyre, ofertë edhe për mbrojtësin e Teutës Osmani por ky I fundit mesa duket nuk ka rënë dakord nga ana financiare me kuqeblutë. Përpjekje edhe për Shetën por edhe me të asnjë lëvizje edhe sepse lojtarin nuk e lëshojnë durrsakët. Edhe me malazezin Rajoviç e njëjta situatë. Ai përveç “pazarit të lartë”, mbi 50 mijë euro, nuk mundet të shkëpusë marëdhëniet me Flamurtarin, skuadër kjo që dëshiron të ketë sërish shërbimet e tij për sezonin e ri futbollistik. Edhe për këtë futbollist, shanset duken të pakta që ai të bëhet pjesë e Vllaznisë. Dëshira e shkodranëve ka qenë për të kryer përforcime edhe në mesfushë teksa I kanë vënë syrin Muçollarit. Ish- lojtari I Kastriotit, e ka pranuar se është kontaktuar nga Vllaznia por vetëm kaq sepse ai po studion ofertat e tjera. Sërish asgjë. Në sulm ndërkohë, ka patur kontakte edhe me dy prej sulmuesve më të mirë të kampionatit, kroatin Pejiç dhe Memellin por kontratat që ata kërkojnë, duken të papërballueshme për fondin që Vllaznia do ketë në dispozicion për merkaton e kësaj vere. Në këto kushte, megjithëse kontakte ka patur me rreth 10 futbollistë, asnjëri prej tyre nuk ka shumë shanse të bëhet pjesë e skuadrës shkodrane. Kjo situatë, I ka vënë jo pak në hall drejtuesit kuqeblu të cilët nuk janë në gjendje t’I japin një shpjegim kësaj situate. Paratë atyre nuk u mungojnë sepse përderisa kanë hyrë në kontakte me këta futbollistë, ata janë të garantuara. Por nuk kanë marrë asnjë garanci nga futbollistët dhe ky është një shqetësim jo I vogël. Po I ofrohemi mesit të qershor dhe Vllaznia nuk ka bërë asnjë goditje në merkaton e verës dhe ky është një sinjal jo I mirë për drejtuesit e saj në përpjekjet për të ndërtuar një skuadër pretendente.
Gjergj KOLA