Vllaznia në hendboll për të rritur është më pranë se kurrë fitimit të titullit kampion. Ajo ka fituar finalen e parë të luajtur pasditen e sotme në Elbasan dhe javën e ardhshme me shumë të ngjarë do të kurorëzohet si fituese e këtij kampionati.
Ndeshja e sotme e luajtur në fushën e ekipit kundërshtar, atij të Elbasanit, padyshim që ishte shumë e rëndësishme sepse do të përcaktonte shumë gjëra sa i takon ndeshjes së kthimit në Shkodër.
Por kuqeblutë e trajnerit Artan Durra kanë bërë një paraqitje shumë të mirë duke e dominuar takimin nga fillim e deri në fund dhe për rrjedhojë e kanë fituar atë me rezultatin 20-16.
I gjithë ekipi ka zbatuar me përpikmëri detyrat e dhëna nga trajneri dhe prandaj ka ardhur edhe konkretizimi. Në këtë takim ka spikatur Xhuliano Hasani me 6 gola të shënuar, ndërsa të tjerët kanë patur për autorë Mihailo Bulatoviç me 4 gola, Xhulio Dushi me 4 gola edhe ai, Indrit Ramusha me 3 gola dhe po kaq shënoi edhe kapiteni Ardit Qiellza.
Ajo që duhet theksuar ka qenë arbitrimi korrekt i dyshes nderkombëtare te Kosoves Besfort Jahja dhe Sherif Xhema.
Të dielën e ardhshme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” do të zhvillohet edhe ndeshja e kthimit dhe Vllaznia padyshim që është shumë pranë fitimit të titullit kampion, titull ky që do të rikthehej tek kjo skuadër pas disa vitesh mungesë.
© shkodrasport.com