Lajme të mira dëgjohen për ekipin e basketbollit të meshkujve të Vllaznisë. Pas marrjes së Hamatit nga Kamza Basket dhe të amerikanit Darryl Palmer, drejtuesit e shoqatës me në krye presidentin Sokol Dibra, kanë ndër mend të sjellin në skuadër edhe 2-3 lojtarë të tjerë në mënyrë që ta forcojnë siç duhet atë. Burime pranë kësaj skuadre bëjnë të ditur se ideja është që në Shkodër të vijnë sërish basketbollistë amerikanë.

Numri i tyre pritet të shkojë në tre bashkë me Palmer megjithatë kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim. Përveç tyre, pritet edhe një tjetër lojtar, por këtë herë nga kampionati shqiptar. Të gjitha këto lëvizje pritet të bëhen në janar, në prag të nisjes së fazës të dytë të kampionatit. Projekti i drejtuesve të shoqatës është gati dhe Vllaznia e basketbollit në janar do të jetë ndryshe. Dhe s’ka si të mos ndodhë kështu përderisa ky ekip është tre vjet rresht kampion dhe këta drejtues dhe ky staf, ka treguar edhe më parë si dominohet në kampionat dhe këtë gjë do të tentojnë ta bëjnë sërish.

© shkodrasport.com