Pas takimit me Kastriotin, Vllaznia ka marrë pushimet. Pjesa më e madhe e lojtarëve, sidomos jabanxhinjtë, janë larguar nga klubi dhe kanë shkuar pranë familjeve të tyre. Ata do të rikthehen në Shkodër jo për të firmosur kontratat për sezonin e ardhshëm, por për të marrë rrogat e fundit. Smajli, Vujadinoviç, por deri diku edhe Dragoi, duket se i kanë dhënë në njëfarë mënyre lamtumirën Vllaznisë, pavarësisht se nga ana e drejtuesve deklaroheshin si lojtarë të kësaj skuadre për edicionin e ri. Mirëpo, veç tyre, nga klubi janë larguar drejt familjeve për të mos u rikthyer në Shkodër si lojtarë edhe Nallbani, Rexha, Deliç e Begaj. Nuk janë pak, por shtatë të tillë, të cilët kanë mbajtur peshën e sezonit që sapo u mbyll dhe që me sa duket do të largohen nga Vllaznia. Katër të fundit nuk janë në planet e drejtuesve, ndërsa për Smajlin, Vujadinoviçin e Dragoin, krerët e klubit shkodran trumbetuan me të madhe se nuk u kanë munguar ofertat, ndonëse krejt e kundërta deklarohet nga vetë lojtarët. Si Smajli, Dragoi dhe Vujadinoviç e mohojnë faktin që drejtuesit janë ulur për të diskutuar realisht me ta për të ardhmen. Nuk janë vetëm jabanxhinjtë që janë larguar pa kthim, sepse ka edhe shkodranë, të cilët mund të mos jenë më pjesë e Vllaznisë. Shtubina ka dhënë sinjalin e parë për një largim të mundshëm, por nuk përjashtohet që edhe ndonjë titullar tjetër mund të mos e vazhdojë më punën me këtë skuadër. Gjithçka deri në këto momente për sa i përket ekipit të sezonit të ri duket e turbullt. Ata që do të vazhdojnë të jenë pjesë e kuqebluve janë të rinjtë. Afrimet – Në kampin shkodran disa javë përpara mbarimit të sezonit u trumbetua se lojtarët e Tiranës Dushku dhe Ahmataj janë afër Vllaznisë. Madje u fol edhe për Vucajn e G.Likën, e po ashtu edhe për Prognin dhe J.Sefën. Mirëpo kjo gjë nuk u realizua. Sipas drejtuesve të klubit, arsyeja e vetme ishte fakti që këta futbollistë kishin një kontratë që duhej përfunduar me klubet përkatëse. E megjithatë, ndonëse sezoni ka përfunduar, krerët e klubit nuk duket se kanë filluar të bëjnë parakontrata me lojtarët në fjalë. Nëse për Vucajn, Prognin e Sefën ka ende kohë për të vendosur, pasi të tre nuk i kanë dhënë akoma fund angazhimeve me skuadrat e tyre, për treshen e Tiranës drejtuesit mund t’i kishin filluar marrëveshjet. Kësisoj, për gjithë sa më sipër, te Vllaznia gjithçka ka mbetur në kuadrin e fjalëve.
Admir Uruçi