Skuadra shkodrane që prej ditës së djeshme është vendosur në kampingun e Beranes në Mal të Zi. Me të mbërritur në tokën malazeze, kuqeblutë kanë zhvilluar seancën e parë ndërsa sot kanë zhvilluar dy të tjera. Nga informacionet e para që mbërrijnë prej shtetit fqinj, aktualisht me ekipin janë në stërvitje vetëm 24 futbollistët e nisur një ditë më parë nga Shkodra dhe nuk ka asnjë tjetër të ardhur në provë.

Sakaq drejtuesit janë duke punuar për të siguruar miqësoren e parë me ndonjë nga ekipet e këtij vendi por kjo në fakt është pak problem sepse kampionati në Mal të Zi ka nisur tashmë dhe skuadrat nuk e kanë mendjen tek miqësoret. Gjithsesi brenda kësaj jave, pritet që Vllaznia ta luajë një ndeshje, e cila do të ishte e pesta për ta, pas katër të tjerave që ka zhvilluar në Shqipëri.

© shkodrasport.com