Paksa e çuditshme kjo por është e vërtetë. Vllaznia ka vuajtur për sulmues në fazën e parë të kampionatit teksa kjo është konsideruar kriza më e madhe në lojën e kësaj skuadre, por në fakt të tre sulmuesit e saj, tiranasi Vilfor Hysa, kosovari Kastriot Rexha dhe shkodrani Sindrit Guri kanë oferta. Të tre këta lojtarë, nëse largohen ose lejohen nga klubi kuqeblu, në merkaton e janarit e kanë gati skuadrën e tyre të re. Për Hysën është në pritje Kastrioti, për Rexhën ka interesim nga Luftëtari ndërsa për Gurin nga Tirana. Kastrioti ka nevojë për sulmues dhe në kushte të tilla prej ditësh janë në pritje të situatës tek Vllaznia ngaqë thuhet se drejtuesit e saj kanë ndër mend ta largojnë këtë lojtar në merkaton e janarit. E njëjta situatë edhe për Rexhën për të cilin ka interesim nga Luftëtari. Trajneri I kësaj skuadre, shkodrani Edi Martini, ka ndjekur disa ndeshje të Vllaznisë dhe ka parë tek sulmuesi shtatëlartë kosovar disa të dhëna të mirë që mund t’I shërbejnë Luftëtarit. Për rrjedhojë, nëse shkodranët e lënë të lirë apo në formë huazimi, ai është I gatshëm ta marrë sepse mendon se I bën punë tek Luftëtari. Nga ana tjetër, për 19 vjeçarin shkodran Guri, trajneri I Tiranës Alban Tafaj është shprehur edhe në media se është I gatshëm të negociojë me drejtuesit e Vllaznisë për shkëmbim lojtarësh duke I ofruar asaj ndonjë lojtar tjetër  në këmbim të Gurit. Në fakt, bardheblutë duken “të dashuruar” me sulmuesit shkodranë. Kjo ngaqë të gjithë që kanë luajtur me këtë skuadër, kanë lënë përshtypje jashtëzakonisht të mira, duke filluar nga Auron Miloti, Hamdi Salihi, Vioresin Sinani e së fundi edhe Bekim Bala. Guri në fakt nuk ka luajtur asnjë ndeshje gjatë fazës së parë të këtij kampionati. Ka qenë thuajse në të gjitha ndeshjet në stol dhe megjithëse skuadra ka patur probleme në sulm, nuk është preferuar asnjëherë nga ana e trajnerit Duro për t’u hedhur në fushë. Mosha e tij është 19 vjeç dhe sigurisht që premton shumë por në fakt mosaktivizimi I tij deri tani sigurisht që do t’I hapte më mirë rrugë huazimit të tij në një skuadër tjetër, aq më tepër tek Tirana. Por nga ana tjetër, të duket paksa e habitshme sesi bardheblutë duan të marrin shërbimet e tij dhe tek Vllaznia nuk e kanë marrë fare në konsideratë ndonëse në disa ndeshje kupe që është aktivizuar, ka bërë një paraqitje përgjithësisht të mirë, madje duke shënuar dy gola në ndeshjen e luajtur ndaj Ilirisë në Fushë- Krujë. Këto gola megjithatë nuk I shërbyen atij asnjëherë për të parë veten pak minuta në fushë në një ndeshje kampionati. Ky lojtar u pat preferuar sezonin e kaluar në disa ndeshje nga ana e trajnerit Vata, ashtu si dhe Dema e Markolaj dhe ndër ta, vetëm Dema këto ndeshjet e fundit është aktivizuar sepse dy të tjerët ose kanë qëndruar në stol, ose nuk janë preferuar fare nga ana e tij.

Vilfor Hysa
Minuta të luajtura: 491’
Gola të shënuar: 1
Ndeshje si titullar: 4
Ndeshje si zëvendësues: 6
Ndeshje në pankinë: 3

Kastriot Rexha
Minuta të luajtura: 683’
Gola të shënuar: 3
Ndeshje si titullar: 7
Ndeshje si zëvendësues: 4
Ndeshja në pankinë: 2

Sindrit Guri:
Minuta të luajtura: 0
Gola të shënuar: 0
Ndeshje si titullar: 0
Ndeshje si zëvendësues: 0
Ndeshje në pankinë: 11