Vllaznia nuk po kalon aspak një formë pozitive së fundmi, ku tashmë edhe eleminimi në kupë ka tronditur kampin kuqeblu. Një ekip që ishte ndërtuar për titullin kampion, po shikon që në fund të edicionit ti “shembet” gjithçka. Ku shkodranët rrezikojnë shumë që të ngelin edhe jashtë zonës europiane.

Kuqeblutë janë në vendin e 5-të të renditjes momentalisht, pozicion që nuk garanton asgjë përveç qëndrimit në Superiore në sezonin tjetër. Megjithatë, Vllaznia ka ende gjithçka në dorên e saj, kjo për të siguruar vendin e katërt.

Vend që mund të të dërgojë në kualifikueset e Conference League, duke pasur parasysh se teorikisht 3 vendet e para të renditjes janë “rezervuar” nga Tirana, Partizani dhe Egnatia.

Ku bardheblutë dhe rrogozhinasit janë edhe në finalen e kupës dhe vendi i katërt në kampionat “hapet” si pozicion për të shkuar në kupat e Europës. Dhe në këtë mënyrë, Vllaznia mund ta tentojë këtë pozicion duke pasur parasysh se edhe kundërshtarët direktë i pret në Shkodër. Duke filluar nga java tjetër ku do jetë përballë Teutës.

E po ashtu në javën e para fundit do jetë kundër Laçit në “Loro Boriçi”. Dy skuadrat që përveç Vllaznisë duket se kanë ambiciet për vendin e katërt.

Pra ende jo gjithçka është e dështuar dhe skuadra mund ta tentojë deri në fund një kualifikim në kupat e Europës. Kualifkim që mund të vijë vetëm në rast se Vllaznia i kalon me sukses 4 provat e fundit të këtij edicioni.
Endri ÇINARI