Fitorja e djeshme kundër Kukësit patjetër ka sjellë humorin tek Vllaznia. Suksesi në shifrat 0-1, falë një super goli të shënuar nga Esin Hakaj dërgon skuadrën shkodrane në vendin e tretë. Duke qenë kështu vetëm 3 pikë pas Tiranës, me të cilët ka ndeshjen direkte para pushimit që merr kampionati për shkak të Botërorit.

Por ndeshja kundër kuksianëve tregoi edhe për një tjetër fakt pozitiv përveç 3 pikëve. Pozitive ishte se kjo ishte ndeshja e tretë në këtë kampionat që ekipi nuk pësoi gol dhe mbrojtja aq shumë e kritikuar u tregua solide përballë verilindorëve. Kështu me golin e shënuar dhe me mbajtjen e portës së paprekur, Vllaznia shkon në kuotën 0.

Kjo pasi ekipi ka pësuar 12 gola në 11 javë kampionat e po aq gola ka shënuar. Me rrjetën dje në Kukës, Vllaznia ka sulmin e dytë më të mirë në kampionat, ku vetëm Tirana ka shënuar 19 gola. Gjithashtu edhe skuadra e Partizanit ka shënuar 12 gola deri në këtë periudhë të Superligës.

Tashmë të gjithë tifozët, por edhe ambienti i futbollit në Shkodër shpresojnë që ekipi të bëjë një performancë pozitive edhe me Tiranën. Pse jo të marrë edhe një fitore dhe të dalë në vendin e parë të renditjes. Pozicion që ekipi e kërkon që në fillim të kampionatit, por ende nuk e ka arritur.
Endri ÇINARI