Vllaznia po lufton për t’u ngjitur në Superiore dhe duket se është në rrugën e mbarë. Pak konkurrencë në Kategorinë e Parë dhe momentalisht mban vendin e parë me 4 pikë më shumë se Dinamo e vendit të dytë që ndodhet në kuotën e 18 pikëve. Disa nga lojtarët e Vllaznisë janë goxha të lakmuar në merkato.

Ardit Krymi është njëri prej tyre. Mesfushori me tipare mbrojtëse u përfol dhe për një largim nga ekipi kuqeblu në merkaton e verës, por Partizani dhe Skënderbeu nuk lejuan që të transferohej të njëri prej ekipeve.

Merkatoja e janarit mund të sjellë sërish sulme për të. Këtë herë ka një problem tjetër, pasi kontrata e Krymit do dhe 1.5 vite për të skaduar, ndërsa klubi shkodran ka vendosur një klauzolë prej 100 mijë eurosh për ta lënë të lirë. Një shifër shumë e madhe për ekipet shqiptare, e kur e mendon se asnjë ekip në Superiore nuk i ka të shlyera rrogat në datat fiks, atëherë kthehet në një mision të pamundur.

Dëshira e lojtarit nuk mjafton për t’u larguar, por Vllaznia ka vendosur “veton” për të. Askush nuk do të mund të largohet pa paguar kartonin te skuadra kuqeblu. Mesfushori Erald Çinari e provoi me Alavesin, por karriera e tij mori një goditje, pasi shkodranët u bënë bllokadë për të.

Krymi është kthyer në lider te Vllaznia, pasi është titullar i rëndësishëm dhe këtë sezon e kemi parë dhe me shiritin e kapitenit në krah./telesport/