Vllaznia në futboll për femra vijon me përgatitjet e saj për ndeshjen e Ligës së Kampioneve të Europës, por përveçse në fushën e stërvitjes, gjatë këtyre ditëve ka patur një angazhim të madh të presidentit Lazer Matija dhe stafit të tij për të forcuar skuadrën me lojtare të tjera cilësore.

Për këtë arsye, janë studiuar shumë lojtare dhe duket se brenda 2-3 ditësh do të mbyllen edhe tratativat me to dhe mund të firmosin për ekipin shkodran. Ndonëse për momentin nuk ka shumë informacion në lidhje me to, nga sa bëhet e ditur, janë lojtare të huaja të cilat luajnë në pozicionet ku ekipi ka më shumë nevojë, duke filluar nga porta dhe duke përfunduar në sulm.

Marrja e këtyre lojtarëve do ta ndihmojë shumë stafin teknik në rritjen e konkurrencës brenda- përbrenda ekipit dhe padyshim që do ta bënte Vllazninë një ekip më konkurrues. Përpjekjet e presidentit Matija për ta forcuar skuadrën me këto lojtare tregon më së miri dëshirën e tij për të tentuar edhe njëherë tjetër kalimin e grupit në Ligën e Kampioneve të Europës, çka do të ishte një arritje historike për futbollin e femrave në Shqipëri.

Vajzat kuqeblu në dy sezonet e fundit kanë arritur nga dy fitore në ndeshjet në grup por që nuk u kanë mjaftuar për të kaluar në turin e dytë. Edhe sivjet gjërat duken të vështira sepse ekipet kundërshtare janë shumë të forta. Sidomos kampionia e Lituanisë dhe ajo e Irlandës. Megjithatë edhe Vllaznia nuk do heqë dorë nga synimi për t’u kualifikuar.

Ndërkohë gjatë këtyre ditëve ka vijuar puna me ekipin në stërvitje nën drejtimin e trajnerëve Nikolin Leka dhe Arben Parmeza. Kryesisht fokusi është përqendruar tek rritja e parametrave fizikë ndërkohë që nga java e ardhshme do të punohet edhe nga ana taktike se ndeshje po afrojnë dhe në fillim të fushtit ekipi duhet të jetë gati.
© shkodrasport.com