Vllaznia ka nisur punën për sezonin e ri dhe hapi i parë, ai i plotësimit të stafit teknik, tashmë është kryer. Ardhja e trajnerit Brdariç dhe e Plorit ka bërë që tashmë gjithçka të jetë ashtu si duhet dhe ndërkohë menjëherë pas prezantimit të tyre kanë nisur të bëjnë planet për ndërtimin e skuadrës.

Duket se njerëzit përgjegjës të merkatos janë drejtori sportiv Matko Djarmati, trajneri Thomas Brdariç dhe Elvis Plori, ndërkohë që do të merret edhe mendimi i administratorit Lici dhe të gjithë sëbashku edhe me sponsorin Xhaferi, kanë marrë përsipër ndërtimin e skuadrës.

Kuptohet që nuk do të jetë e lehtë sepse priten ndryshime rrënjësore në rradhët e saj. Ndryshime që do të nisin nga porta. Alen Sherri tashmë ka zgjedhur të luajë për Laçin e po ashtu edhe maqedonasi Efremov i ka dhënë lamtumirën Vllaznisë. Kjo do të thotë se do të tentohet gjetja e një portieri cilësor që në fakt nuk do të jetë e lehtë. Përforcime duhen edhe për repartet e tjera duke filluar nga mbrojtja, mesfusha dhe sulmi.

Bisedimet kanë nisur dhe personat përgjegjës të merkatos po bëjnë edhe ofertat e duhura, megjithatë duket se nuk do të jetë e lehtë gjetja e lojtarëve cilësorë. Tregu kosovar po merr shumë futbollistë të kampionatit shqiptar dhe ky është një problem më vete.

Nga ana tjetër, për momentin janë disa futbollistë shkodranë të cilët i kanë dhënë lamtumirën ekipeve të tyre dhe mund të jenë një alternativë për rikthimin në Shkodër, duke nisur nga Edon Hasani, Esin Hakaj, Arlind Kalaja e ndonjë tjetër.

Stafi i Vllaznisë i ka të qarta idetë se çfarë lojtarësh kërkon në merkato dhe për këtë arsye, do tentojë deri në fund për t’i gjetur ato, ndonëse kohë nuk ka shumë në dispozicion sepse kampionati nis pas një muaji. Për këtë arsye, edhe stërvitja e ekipit duhet të nisë brenda javës.