Fitorja e fundit ndaj Teutës, e koleksionuar pas tre rezultatesh negative, ka bërë që në Shkodër të rikthehet optimizmi përpara pushimeve të dimrit.

Një fitore që mban lart moralin, edhe pse në aspektin e pikëve nuk ndryshon shumë gjëra, pasi shkodranët janë ende larg vendit të parë të klasifikimit.

Gjithsesi, reagimi i skuadrës, për më tepër përballë publikut të vet dhe ndaj një kundërshtari, siç ishte Teuta që po kalonte një formë të mirë, tregoi se Vllaznisë nuk i mungojnë kapacitetet në skuadër, pavarësisht gjendjes jo fort të mirë që kanë pasur deri më tani këtë sezon.

Në njëfarë mënyre, ky ishte një “sinjal” i skuadrës shkodrane për të treguar se ka mundësi për të bërë akoma më mirë në vazhdim dhe se në ristartin e kampionatit në muajin janar, ndoshta mund të vijnë rezultatet që kërkohen, edhe pse deri atëherë mund të ndryshojnë shumë gjëra.
Maringlen ZHIVANI