Ndonëse pa kampionin Qamil Bajrami në gjirin e tij, ekipi i mundjes së Vllaznisë ka arritur të renditet i treti në renditjen ekipore të kampionatit kombëtar që u zhvillua ditën e djeshme në Tiranë. Në këtë aktivitet të rëndësishëm, ekipi shkodran u përfaqësua me shtatë sportistë dhe të gjithë ata janë ngjitur në podium.

Tre prej tyre kanë zënë vende të dyta duke u shpallur nënkampionë të vendit. Bëhet fjalë për Sidrit Bajrakurtajn që zuri vendin e dytë në peshën 61 kg, po ashtu vend të dytë kanë zënë edhe Maldin Camaj në peshën 65 kg dhe Kristian Fiku në peshën 97 kg. Sakaq vende të treta kanë zënë Dashnor Koka në peshën 70 kg, Adnan Guri në peshën 74 kg, Eqerem Shega në peshën 86 kg dhe Fatmir Zallina në peshën 125 kg.

Padyshim që ky është një sukses duke parë kushtet e vështira në të cilat vazhdojnë të stërviten këta sportistë. Natyrisht që mungesa e kampionit Qamil Bajrami që ka emigruar në Angli ka ndikuar si në renditjen individuale ashtu edhe në atë ekipore megjithatë paraqitja e sportistëve të tjerë lë vend dhe shpresë për të tjerë kampionë në të ardhmen. Natyrisht që një meritë për këtë gjë ka edhe trajneri Nazmi Elezi që i ndihmuar nga mjeshtri Dedë Bregu, vazhdojnë të punojnë me shumë pasion për të risjellë sukseset e mundjes shkodrane.

© shkodrasport.com