Redon Mihana vazhdon të mbetet objektiv i Vllaznisë për të përforcuar repartin ofensiv. Sulmuesi që luan në të dy krahët do të shtonte konkurrencën, por pavarësisht dëshirës së tij për t’u bërë pjesë e kuqebluve, në fund është klubi i Apolonisë që vendos. Lojtari me origjinë nga Laçi është nën kontratë me fierakët deri në verën e vitit 2023.

Prej ditësh drejtuesit e Vllaznisë po negociojnë me ata të Apolonisë për të gjetur gjuhën e përbashkët. Nuk përjashtohet mundësia që Mihana të vijë në Shkodër si huazim me të drejtë blerjeje ose klubet të ndajnë pronësinë e kartonit të lojtarit.

Para se ekipi të udhëtonte drejt Austrisë, trajneri Josa e la të hapur mundësinë e përforcimeve vetëm në repartin e sulmit dhe Mihana mund të jetë një opsion i mirë, që do t’u jepte një impuls më tepër shkodranëve. Klubi tentoi edhe sulmuesin nga Tetova, Shefit Shefiti, i cili mbylli sezonin me Renovën në Maqedoninë e Veriut, por nuk arriti ta bindë.

Ne ditet ne vijim do te mesohet me shume ne lidhje me kete lojtar nese do t’i bashkohet apo jo Vllaznise. Mihana mesohet se preferohet nga ana e trajnerit Josa dhe si rrjedhoje nuk perjashtohet mundesia qe edhe ai te vishet kuqeblu.