Ajo që dëshironin shkodranët, ka ndodhur. Studenti ka fituar 3-0 ndaj Tiranës në javën e fundit të kampionatit dhe kjo ka bërë që Vllaznia në volejboll për meshkuj është ngjitur në vendin e katërt në renditje. Sigurisht që nuk kishte kuptim të ndodhte ndryshe sepse ekipi shkodran ka treguar se është ndër më të mirët e volejbollit shqiptar këtë sezon dhe mbetja jashtë katërshes së play- off-it, do të ishte një mëkat. Gjithsesi tashmë kjo ka kaluar dhe Vllaznia nën drejtimin e trajnerit Mark Kroqi ka filluar të bëhet gati për ndeshjet gjysmëfinale. Në këtë tur, ajo do të ndeshet me skuadrën më të mirë të volejbollit shqiptar- Partizanin. Në pamje të parë duket shumë e vështirë por jo e pamundur. Shkodranët e treguan këtë gjë edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj kësaj skuadre teksa vetëm për një pikë ishin duke i rrëmbyer trofeun.
© shkodrasport.com