Tek Vllaznia ka nisur të flitet prej ditësh për largime futbollistësh. Pas Kalajës edhe Çinarit duket drejt kësaj rruge por nga ana tjetër, në media ka nisur të qarkullojë lajmi për mundësinë e largimit edhe të Vucajt dhe Krymit.
Për të dy mesfushorët ka oferta por nëse i pari mund të largohet ngaqë atë ia lejon edhe kontrata, nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për lojtarin tjetër.
Drejtuesit e klubit Vllaznia nuk kanë ndër mend ta lëshojnë kollaj këtë futbollist madje planet janë që skuadra e sezonit të ri të nisë pikërisht prej tij.
Ndërkohë, vërtetë që dera do t’u mbyllet largimit të lojtarëve por kjo do të bëhet vetëm për ata që konsiderohen të jenë pjesë e planeve të tyre.
Kjo do të thotë se për një pjesë të mirë të futbollistëve që mbyllën sezonin e fundit, nuk do t’u rinovohet kontrata.
Ende nuk ka një listë paraprake të këtyre lojtarëve, por kjo gjë duket e sigurtë.
Vllaznia e sezonit të ri në kategorinë e parë jo vetëm do të jetë një skuadër e ndërtuar për t’u ngjitur në Superligë, por e projektuar për të qenë dinjitoze edhe një sezon më vonë në mes më të mirave të futbollit shqiptar.
Lista përfundimtare natyrisht që do të dalë atëherë kur të caktohen drejtuesit e rinj të klubit dhe të stafit teknik megjithatë burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se mënyra si do të ndërtohet ekipi tashmë është e qartë.
Kjo do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e lojtarëve aktualë të Vllaznisë që mbylli sezonin e fundit, pritet të mos jenë më pjesë e saj.
Ideja tjetër është që të shihet mundësia për të marrë ndonjë futbollist nga jashtë Shkodre, pse jo edhe të huaj për pozicione ku ka më shumë nevojë, siç është reparti i sulmit.
Gjithsesi, deri në fillim të korrikut, puna nuk do të nisë tek kuqeblutë.
© shkodrasport.com