Merkatoja e ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë nuk është mbyllur ende. Pavarësisht se ditët e fundit pjesë e tij janë bërë edhe tre basketbollistë amerikanë, sërish kuqeblutë kanë objektiv të ofrojnë edhe një tjetër lojtar cilësor. Bëhet fjalë për tiranasin Algert Gjonaj. Ai ka qenë edhe sezonin e kaluar pjesë e ekipit shkodran duke kontribuar në shpalljen kampion të tij dhe drejtuesit e shoqatës së Vllaznisë janë në bisedime me të, për ta sjellë sërish në Shkodër. Pak ditë më parë, ky basketbollist u shpall si lojtari më i mirë i kampionatit shqiptar për vitin 2016 duke marrë edhe trofeun përkatës nga Federata Shqiptare e Basketbollit. Pavarësisht se ende nuk ka firmë në kontratë me këtë sportist, kjo gjë duket punë e kryer, nisur edhe nga vlerësimi që Gjonaj ka për këtë skuadër, për qytetin e Shkodrës dhe në veçanti për tifozët e tij të zjarrtë.

Me ardhjen edhe të këtij lojtari, do të shkojë në pesë numri i blerjeve të presidentit Dibra këtë sezon. I pari që ka mbërritur ka qenë Julian Hamati, i ardhur nga Kamza Basket. Më pas erdhën njëri pas tjetrit tre amerikanët, duke filluar me Palmer, për të vazhduar me Jackson dhe për të përfunduar me të tretin, Freelove. Objektivi i Vllaznisë dhe i drejtuesve të saj është i qartë për të tentuar me çdo kusht fitimin e titullit kampion edhe këtë sezon, titull ky që do të ishte i katërti rradhazi për të. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë pasi edhe Tirana e Teuta kanë bërë përforcime dhe kanë krijuar ekipe të mira megjithatë e sigurtë duket se shkodranët deri në finale do të shkojnë dhe me shumë të ngjarë, finalet e këtij sezoni, kanë për të qenë më të bukurat e këtyre viteve të fundit.

© shkodrasport.com