Java në të cilën hyjmë sot, pritet të jetë shumë e nxehtë për Vllazninë. Drejtuesit e saj gjatë këtyre ditëve mendohet të bëjnë realitet disa afrime cilësorë të lojtarëve në mënyrë që skuadra pastaj të jetë gati për të filluar stërvitjen nga java e ardhshme. Ndoshta emrat “big” duan pak kohë të vendosin por pjesa tjetër e futbollistëve me shumë mundësi do firmosë gjatë kësaj jave. Dragoi dhe ndonjë tjetër pritet të zyrtarizohen si futbollistë të Vllaznisë ndërkohë që bisedimet me disa të tjerë do vazhdojnë pas disa ditësh. Në fakt, për kuqeblutë kanë dalë në plan të parë disa alternativa shumë serioze në merkato. Kështu për mbrojtjen, nëse realizohet ardhja e shkodranit Elvin Beqiri dhe e malazezit Nikolla Vukçeviç, ky repart “blindohet”. Në mesfushë me përforcimet e bëra- Deliç e Nallbanin, por edhe me Dragoin dhe Hajdarin e Gocajn, edhe ky repart është I plotësuar. Për të kaluar pastaj tek sulmi ku në rast arritje akordi me Tiranën për Balën, do ishte një mrekulli e vërtetë sepse me të, por edhe me ndonjë sulmues tjetër që mund të vijë, skuadra do jetë shumë e fortë. Për të mos përmendur pastaj Vajushin sepse në rast të ndonjë befasie nga Bullgaria, ai mund të ishte goditja tjetër e madhe e Vllaznisë. Megjithatë duhet pritur.  Trajneri Duro ndërkohë vazhdon të mos flasë. Ndoshta deri në momentin e nisjes së stërvitjes do veprojë kështu. Ai në fakt ka kërkuar që në atë moment të ketë 80 për qind të skuadrës gati. Se do realizohet apo jo kjo gjë, mbetet për t’u parë. Alternativat janë shumë serioze në merkato. Po kontaktohet me shumë futbollistë dhe e rëndësishme është të gjenden më të mirët. Nëse vijnë Vukçeviç, Beqiri,  Bala e Vajushi, Vllaznia bëhet skuadër pretendente. Sepse duke patur në skuadër edhe portierin Vujadinoviç, mbrojtësit Smajli dhe Begaj, si dhe të tjerët që përmendëm më lart, ajo plotësohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Drejtori sportiv Grima është lodhur jo pak kohët e fundit. Ka kontaktuar me shumë futbollistë, ka biseduar shpeshherë me trajnerin duke parë të gjitha alternativat e mundshme dhe deri tani, gjërat kanë ecur mirë. Ajo çfarë pritet është vetëm akordi me Beqirin, Vukçeviç, Balën dhe Vajushin. Beqiri po sheh mundësinë e gjetjes së ndonjë skuadre tjetër në Azerbajxhan dhe në rast se nuk firmos atje, me shumë mundësi do kthehet tek Vllaznia ngaqë ia ka dhënë një gjysmë fjale Grimës. Vukçeviç po ashtu është në pritje të një oferte për në Hungari dhe nëse nuk realizohet edhe ajo, edhe ai do vijë në Shkodër, aty ku ia ka kaluar shumë mirë 6 vjet më parë. Marrëveshja me Tiranën për sulmuesin Bala edhe mund të arrihet dhe kësisoj shpresat rriten. Në kushte të tilla duke pritur deri në fund edhe për Vajushin, me shumë mundësi, për të parë Vllazninë e vërtetë ndoshta duhet të presim deri nga fundi I korrikut. Ndoshta edhe pak më shumë. E rëndësishme për shkodranët është të ndërtohet skuadra e duhur me të cilën të pretendojnë sezonin e ri.
Gjergj KOLA