Do të hidhet këto ditë shorti i turit të parë të LIgës së Kampioneve të Europës në futboll për femra dhe padyshim që tek kampionia e Shqipërisë- Vllaznia, sytë janë të fokusuar në Nion për të mësuar emrat e kundërshtarëve me të cilët do të ndeshen.
Nga ana tjetër, ekipi ka nisur fazën përgatitore dhe pas 10 ditëve stërvitje në plazhin e Velipojës, tashmë është rikthyer në Shkodër ku po zhvillon stërvitje me dy seanca në ditë.
Nën drejtimin e trajnerit të përgatitjes fizike Arben Parmeza, por edhe të teknikut Nikolin Leka, vajzat e këtij ekipi po i përballojnë me sukses ngarkesat e larta stërvitore dhe deri më tani gjërat po shkojnë mirë.
Kjo stërvitje do të vijojë edhe për pak ditë ndërkohë që më pas do të nisin edhe ndeshjet miqësore me anë të të cilave stafi teknik do të tentojë të kolaudojë sa më mirë ekipin ngaqë me të janë bashkuar kohët e fundit edhe disa futbolliste të tjera.
Vllaznia edhe në sezonin e ri të Champions League do të synojë kualifikimin për në turin e dytë ashtu siç bëri sezonin e kaluar teksa mbërriti deri në 1/32 të këtij kompeticioni të rëndësishëm europian. Presidenti Matija është i vendosur për këtë gjë dhe prandaj nuk ka hezituar t’ia plotësojë të gjitha kërkesat stafit, si për kushtet e stërvitjes ashtu edhe për përforcimet e duhura në përbërje.
www.shkodrasport.com