Shtohet numri i futbollistëve të huaj që janë në provë tek Vllaznia. Përveç dy portierëve, malazezit Agoviç dhe maqedonasit Bozhinovski si dhe mesfushorit kroat Filipoviç, në stërvitjen e sotme kanë qenë të pranishëm edhe dy të tjerë. Bëhet fjalë për rusin Dmitri Kayumov dhe serbin Aleksandar Rakiç. Ata në fakt nuk janë stërvitur sepse reshjet e shiut që kanë bërë, e ka ndërprerë seancën dhe ata nuk kanë patur mundësi që të shikohen nga ana e stafit të kuqebluve. Nga sa merret vesh, rusi Kayumov luan si mesfushor sulmues dhe mosha e tij është 24 vjeç dhe më parë ka qenë pjesë edhe e ekipit të njohur Spartak të Moskës ndërkohë që ka luajtur edhe me kombëtaret U-18, U-19 dhe U-21 të vendit të tij.

Nga ana tjetër, serbi Rakiç është 29 vjeç dhe luan në repartin e sulmit dhe së fundi ka qenë duke luajtur në Armeni dhe tashmë po sheh mundësi të gjej vend ndoshta në Shqipëri tek Vllaznia, skuadër që ka nevojë të domosdoshme për gjetjen e një sulmuesi cilësor. Të dy këta futbollistë nesër do të kenë provën e parë të rëndësishme teksa do të aktivizohen nga ana e trajnerit Cungu në miqësoren ndaj Deçiç dhe nëse bindin në këtë provë të parë, mund të vazhdojnë edhe për disa ditë testimin ndryshe do të largohen. Ata luajnë në pozicionet ku kuqeblutë kanë shumë nevojë, pikërisht në pjesën sulmuese të tyre dhe shpresat janë për të bindur në provën e tyre.

© shkodrasport.com