Javët kalojnë dhe Vllaznia e basketbollit të meshkujve ndodhet sërish në pozita aspak komode në renditje. Gjashtë javë para fundit të kampionatit, shkodranët ndodhen sërish në vendin e fundit të tabelës dhe nëse gara do të përfundonte tani, ata do të ishin jashtë Superligës.
Por ka ende shpresa që të mos ndodhë kështu, ndonëse humbja e pak ditëve më parë ndaj Tiranës I ka lëkundur edhe më shumë pozitat e Vllaznisë. Trajneri Plantak dhe drejtori teknik Halili kishin deklaruar se sfidat e vërteta të Vllaznisë do të jenë ato me Kamzën, Tiranën dhe Partizanin.
Deri më tani janë luajtur dy prej tyre dhe shkodranët kanë fituar një dhe humbur një. Mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë në të tretën, atë ndaj Partizanit, pasditen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.
Fitorja konsiderohet detyrim për ekipin e Vllaznisë por edhe nëse ndodh kjo, asgjë nuk është e sigurtë sa I takon qëndrimit në Superligë sepse gjithçka do të vendoset në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit. Të mos harrojmë se në këto ndeshje, skuadra shkodrane do të luajë sërish me Kamzën por këtë herë në Kamëz e po ashtu me Tiranën në Shkodër dhe në javën e fundit me Partizanin në Tiranë.
Nuk përjashtohet mundësia që ndeshjet e fundit të jenë edhe llogari, pse jo edhe compromise dhe për këtë arsye, Vllaznia duhet të ndihet shumë e rrezikuar për rënien nga kategoria dhe kjo do të ishte diçka fatale sepse Brenda pak vitesh po shohim një shndërrim total të këtij ekipi, nga kampione e padiskutueshme në pretendenten kryesore për të rënë nga Superliga.
© shkodrasport.com