Teksa Bashkia e Shkodrës bën gati procedurat për shitjen e aksioneve të saj tek klubi i futbollit Vllaznia, hidhet dritë edhe mbi arsyet e këtij veprimi. Shkak kryesor është bërë pamundësia e Bashkisë për të mbështetur më financiarisht ekipin, i cili ndër vite ka shkaktuar vetëm humbje në buxhetin vendor. Ky është konstatimi i një studimi të bërë nga gazetari Angelo Haruni i SCAN TV e të publikuar në faqen e tij.
Sipas asaj çfarë konstatohet, janë jo pak, por 308 milionë lekë të reja humbjet, të cilat kanë ardhur duke u thelluar vit pas viti. Këto humbje janë pothuajse të barazvlefshme me kapitalin e KF. Vllaznia, i cili sot llogaritet në vlerën 320 milionë lekë. “Bashkia Shkodër mendon se është e nevojshme që KF. Vllaznisë sh.a, si një klub me kërkesa të mëdha financiare, t’i krijohet mundësia e një administrimi më të përshtatshëm nëpërmjet PRIVATIZIMIT të tij. Privatizimi lind si nevojë për ta fuqizuar KF. Vllaznia sh.a”, shkruan në shkresa Bashkia.
Bashkia jep dhe shembujt e periudhave të mëparshme kur sponsorët arrinin të mbanin ekipin në nivele të larta, ndërsa vlerëson se privatizimi është një proces i mirëpritur nga tifozeria shkodrane.
Shitja e aksioneve të klubit do t’i kushtojë Bashkisë edhe disa shpenzime të tjera, konkretisht për vlerësimin e aseteve dhe përgatitjen e dokumentacionit për shitjen me ankand të aksioneve. Shërbimi i konsulencës do të kushtojë 833 mijë lekë, ndërsa vetë ankandi nuk pritet të ndodhë para Janarit të vitit të ardhshëm.
Në dokumentet e bashkangjitura procedurës për gjetjen e konsulentit, Bashkia publikuar edhe bilancin e klubit për 4 sezonet paraardhëse. Vetëm për vitin 2016, bilanci regjistron një vlerë negative prej 48 milionë lekësh.
Të ardhurat nga: Viti 2013 Viti 2014 Viti 2015 Viti 2016
Bileta 2,190,600 1,591,099 450,500 2,667,812
Reklama 4,010,000 1,300,000 – 1,577,711
Sponsorizime – 1,200,000 490,248 –
Shitje lojtaresh – – 9,819,878 2,500,000
Drejta televizive 6,700.000 7,000,000 7,000,000 7,208,000
Formimi i lojtarve – – 2,139,770 –
Brand value – – – –
Bashkia Shkodër – 44,000,000 57,822,000 62,000,000
Për vlerësimin e pasurisë së klubit, do të përdoret metoda që mbështetet në faktorë si të ardhurat, rezultatet sportive dhe tifozeria. Klubi 9 herë kampion i Shqipërisë është themeluar si shoqëri aksionare në 29 Gusht 2011.