Kamza? Kush është kjo skuadër, pyeste dje një tifoz në Shkodër. Sigurisht me humorin tradicional të këtij qyteti. Natyrshëm ai e kishte të qartë se kush është Kamza dhe çfarë mund të bëjë ajo. Megjithatë, me atë shprehje, tifozi që do mungojë sot në “Loro Boriçi” për të ndjekur Vllazninë për shkak të dënimit të fushës, ka dashur t’u thotë futbollistëve të skuadrës së tij se ky kundërshtar nuk duhet llogaritur fare. Nëse nisemi nga emrat dhe historia e dy skuadrave në futbollin shqiptar, sigurisht që diferencat janë të mëdha. Shkodranët me shumë emër, duke luajtur në fushën e tyre përballë modestëve të Kamzës, në letër nuk duhet ta vënë asnjëherë në dyshim fitoren. Realisht situata është ndryshe. Skuadra modeste e periferisë së kryeqytetit, e ka mundur Vllazninë në fazën e parë dhe do tentojë t’I marrë  pikë sërish në Shkodër sot. Nëse e dëshiron këtë gjë, nuk është ndonjë gjë e keqe. Përkundrazi, ky është motivi që duhet të ketë një ekip futbolli gjithnjë, pavarësisht se përballë kujt kundërshtari luan. Realisht në këto momente, mes dy skuadrave nuk ka shumë diferenca. Edhe në renditje, ndonëse Vllaznia është tre pikë përpara. Edhe në lojë, edhe në aspekte të tjera. Diferencat mund dhe duhet të jenë në mentalitet. Nëse kuqeblutë sot në mendje e konsiderojnë të vështirë këtë ndeshje, kanë për ta pësuar. Nëse hyjnë në fushë me idenë se ata janë më të mirët, se ata janë Vllaznia, sigurisht që kanë për të fituar. Në krye kanë një trajner si Vata që të paktën nga komunikimi di t’ua transmetojë mirë këtë gjë futbollistëve. Disa skeptikë, duke futur këtu Brenda edhe tifozë, edhe specialist futbolli, edhe njerëz të tjerë, kanë frikë se në rast mosfitoreje sot të kuqebluve, ata rrezikojnë seriozisht rënien nga kategoria. Vllaznia nuk është skuadër që di të qëndrojë në ujëra të turbullta sepse nuk është mësuar në to. Ajo kur e merr tatëpjetën, e merr keq. Megjithatë trajneri Vata nuk mendon kurrsesi se gjërat do shkojnë kështu. Ai madje nxiton të thotë se Shkodra do të jetë krenare me skuadrën e fundit të sezonit. Dilemat janë të mëdha. E rëndësishme për këtë skuadër, për momentin është fitorja në takimin e sotëm. Vetë stafi I skuadrës e ka konsideruar shumë delikat. Që do të thotë se nëse merret lehtë, ajo mund ta pësojë keq. Pa praninë edhe të tifozëve që mund t’I nxisnin nga shkallët e stadiumit, ndikimi fushë nuk do ekzistojë. Njëlloj sikur të luhej në një fushë asnjanëse. Për rrjedhojë, do fitojë skuadra që do tregojë më shumë autoritet në fushë. Nëse Vllaznia nuk tregon emrin e saj, historinë dhe traditën që e karakterizon, sigurisht që do ta ketë të vështirë. Në fakt, ka pak shkodranë Brenda në formacion, por ata që janë duhet t’ua injektojnë edhe të tjerëve, egon e fitores. Në mënyrë që të mos ta shohin të lëkundur të ardhmen e kësaj skuadre sepse do ishte mëkat shumë I madh. Jo më kot, ky takim konsiderohet shumë I rëndësishëm, paçka se luhet ndaj një kundërshtari si Kamza, e lehtë në dukje. Realisht nuk do jetë ashtu. Kjo skuadër do vijë në Shkodër për të “treguar dhëmbët” sepse nuk dëshiron të bjerë nga kategoria. Kush do dalë triumfues? Nëse Vllaznia kërkon të thotë se është vërtetë Vllazni, atëherë fitorja do jetë në anën e saj. Ndryshe….

Gjergj KOLA