Ndonëse ka përfunduar sezoni, ekipi i Vllaznisë çdo ditë është në stërvitje. Ka ndodhur kështu edhe paraditen e sotme dhe do të vazhdojë deri në fund të muajit maj. Kjo bëhet e ditur në një intervistë nga zëvendëstrajneri i këtij ekipi Samuel Nikaj, njeriu i ngarkuar nga klubi për të drejtuar skuadrën gjatë këtyre ditëve. Sipas tij, vazhdimi i stërvitjes është mëse i domosdoshëm për të ruajtur formën sportive të futbollistëve. “Do të jemi në stërvitje të rregullt çdo ditë deri më 30 maj. Më pas do ndërpritet por unë gjithsesi do jem në dispozicion të atyre futbollistëve që duan të stërviten sërish, të paktën edhe për dy javë të tjera derisa të nisë Botërori dhe më pas për futbollistët do nisin pushimet.
Këto stërvitje janë të domosdoshme për të ruajtur formën fizike dhe për të qenë në formën e duhur kur të nisin përgatitjet për sezonin e ri”- ka thënë Nikaj.Në stërvitjen e sotme kanë qenë të pranishëm të gjithë futbollistët shkodranë por ndërkohë ka rënë në sy mungesa e futbollistëve të huaj e pikërisht e portierit Vujadinoviç, e mbrojtësve Rajoviç e Vukçeviç si dhe e mesfushorit Nikoliç dhe e sulmuesit Bushiç. I pyetur në lidhje me këto mungesa, zëvendëstrajneri Nikaj është shprehur: “Nuk kam asnjë dijeni për futbollistët e huaj. Edhe ato janë lajmëruar si gjithë të tjerët për të qenë në stërvitje por prej dy ditësh nuk janë dukur”.Ekipi i Vllaznisë është para shumë dilemave për të ardhmen megjithatë deri sa të zgjidhen ato, natyrisht që stërvitja do të vazhdojë në mënyrë që kur të nisë puna për sezonin e ri, futbollistët të mos gjenden të papërgatitur.
Gjergj KOLA