Mbrojtësi malazez, Blazho Rajoviç, mund të riveshë fanellën e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm. Nga sa mësohet, në adresë të lojtarit janë dhënë sinjale nga drejtuesit kuqeblu për ta bërë të tyrin. Rajoviç ka qenë një prej lojtarëve kyç të Vllaznisë para dy sezonesh. Paraqitja e tij e mirë bëri që të transferohej te Flamurtari. Por, me sa duket, pozicionimi i vlonjatëve në vendin e katërt, i ka shtyrë një pjesë të futbollistëve që ta vënë në pikëpyetje qëndrimin edhe për një tjetër sezon aty. Njëri nga këta është edhe Rajoviç. Nga sa mësohet, krerët e klubit shkodran kanë kohë që e ndjekin me interes këtë lojtar për të pritur momentin e duhur që t’i bëjnë një ofertë zyrtare. Largimi i Osmanit dhe më pas i Seminës në qendër të mbrojtjes e bën shumë të domosdoshëm afrimin e një futbollisti si Rajoviç, i cili për më tepër njeh edhe ambientin dhe ekipin shkodran. Afrimi i malazezit duket se është në sinkron me atë që tekniku Bushati kërkon në këtë merkato: të afrojë lojtarë në mbrojtje, që sipas tij është edhe boshti i një skuadre që do të garojë për objektiva madhorë.
Portieri Sinjale pozitive nuk duket se vijnë vetëm për një afrim të mundshëm të malazezit Blazho Rajoviç te Vllaznia, ku dhe u bë i njohur në Shqipëri, por edhe për “gardianin” e portës shkodrane, Mirosllav Vujadinoviç. Mësohet se Rajoviç ishte ai që kërkonte të tërhiqte pas vetes në Vlorë malazezin e portës, por me sa duket gjërat do të lëvizin në kahun tjetër. Burime pranë klubit bëjnë me dije se Vujadinoviç mund t’i thotë “po” përsëri ekipit kuqeblu. Portierit i është dhënë një ofertë e mirë dhe ai mund ta refuzojë atë vetëm në rast se do të ketë një më të mirë nga kampionatet e huaja. Portieri aktualisht është në pritje të marrjes së shumës së fundit financiare që ka me shkodranët dhe më pas do të kalojë disa ditë pushimesh pranë familjes së tij në Podgoricë. Periudhë që do të vlejë ndoshta si një reflektim për të vendosur edhe të ardhmen. Vujadinoviç është një futbollistët më të preferuar të tifozërisë shkodrane. “Gardiani” kërkohet patjetër në këtë ekip, pasi me formën e treguar ka dhënë siguri për katërkëndëshin, aq sa rinovimi i tij është kthyer pothuajse në një domosdoshmëri për trajnerin Bushati.
Admir URUÇI