Klodian Duro është lojtari për të cilin drejtuesit shkodranë po interesohen që ta kenë pjesë të ekipit të tyre për sezonin e ardhshëm futbollistik. Fantazisti, i cili luan edhe si një gjysmësulmues te skuadra e Tiranës, kohët e fundit ka pasur shumë përplasje me trajnerin spanjoll Hulian Rubio, kështu që largimi i tij nga bardheblutë mund të jetë tërësisht një alternativë e mundshme. Duke përfituar nga një situatë e tillë mes trajnerit dhe lojtarit, drejtuesit e Vllaznisë janë të gatshëm që t’i bëjnë një ftesë zyrtare për ta rikthyer në skuadrën ku ai u promovua dhe arriti majat e tij si futbollist.


Duro është një nga lojtarët që në vitin 2001 ka arritur të shpallet kampion me Vllazninë, që përkon edhe me titullin e fundit që shkodranët kanë arritur të marrin në radhë trofesh. Vetë lojtari, nga ana e tij, ka deklaruar se e ka shumë për zemër skuadrën shkodrane, duke lënë të gjitha opsionet për një kalim të tijin aty, pas plot 11 vitesh mungesë. Por pavarësisht zërave që flasin për këtë transferim, ende nuk dihet se deri në çfarë pike kanë avancuar bisedimet mes lojtarëve dhe drejtuesve, pasi këta të fundit kanë vendosur që të mos japin asnjë informacion zyrtare deri në mbylljen e merkatos. Megjithatë, nëse Duro do të rikthehej te Vllaznia, ai do ishte një përforcim mjaft cilësor sidomos në repartin e sulmit, aty ky kuqeblutë nuk kanë akoma asnjë alternativë për merkaton e tyre.
Trajneri Me uljen e Shpëtim Duros në stolin e skuadrës shkodrane, duket se gjërat kanë filluar të lëvizin në drejtim të merkatos. Edhe më parë drejtuesit e Vllaznisë kishin deklaruar se do të ishte vetëm trajneri i ri ai që do të vendoste në lidhje me futbollistët që do të afroheshin, e deri në këto momente duket se një premtim të tillë janë duke e mbajtur. Vllaznia e sezonit të ardhshëm pritet të jetë një skuadër që do të garojë fort për fitimin e titullit kampion, por edhe Kupën e Shqipërisë. Një sezon më parë shkodranët nuk bënë paraqitje të mirë, aq sa e siguruan matematikisht mbijetesën vetëm një ndeshje përpara përfundimit të kampionatit.
Admir URUÇI