
Ka rreth 2-3 javë që në opinionin sportiv shkodran ka filluar të diskutohet për Vllazninë e sezonit të ardhshëm. Logjikshëm duke parë që edhe në këtë sezon ajo dështoi në arritjen e objektivave të saj. Pjestar të stafit drejtues apo edhe përfaqësues të klubit edhe në media kanë folur me superlativa për skuadrën e ardhshme. Janë publikuar edhe foto të takimeve të bujshme me lojtarë të kampionatit shqiptar që kanë ardhur në Shkodër për bisedime por vetëm kaq. Ditë pas dite, këto premtime filluan të zbehen. Vllaznia aktuale duket se ka halle më të mëdha aktualisht sesa ajo e të menduarit për të ardhmen. Natyrisht që nuk është vendi të flasim ne. Më mirë të flasin futbollistët kur ta shohin të arsyeshme. Por ajo që mbetet është se tashmë nuk bëhet më fjalë për ardhjen e Sukajt, Balës, Vajushit, Vucajt, Dushkut, Ahmatajt etj. Këto futbollistë ka shumë pak shanse që të vijnë në Shkodër për sezonin e ri. Në kushte të tilla, drejtuesit e klubit me shumë mundësi duhet të ndjekin një politikë tjetër, atë të aktivizimit të futbollistëve të rinj. Kjo mund të bëhej thjesht. Mjafton një deklaratë e drejtuesve të lartë të klubit se Vllaznia nuk ka objektiva madhore në kampionat dhe presioni ndaj stafit drejtues do binte. Po ashtu edhe ndaj futbollistëve të rinj dhe të jeni të sigurtë se deri në vend të shtatë, ku është aktualisht Vllaznia, do ta ngjisin edhe ata. Natyrisht pa 12 blerjet e bëra si këtë sezon, pa shpenzimet e mëdha si deri tani. Ky është mendimi i shumë prej specialistëve në këto momente dhe mbase ka ardhur momenti për t’i dëgjuar ato.
www.shkodrasport.com