Skuadra shkodranë do të udhëtojë nesër me shumë mundësi drejt Ulqinit për të qëndruar atje deri të mërkurën, ditën kur mendohet të luhet ndeshja me Skënderbeun, e vlefshme për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Ky është një takim shumë i rëndësishëm dhe prandaj kërkon përgatitje maksimale, gjë që nuk mund të bëhet dot në Shkodër. Në qytetin verior të Shqipërisë, ka ditë që mbizotëron dëbora kudo dhe prandaj është shumë e vështirë të gjesh një terren për të zhvilluar normalisht stërvitje. Në kushte të tilla, drejtuesit e klubit shkodran po mendojnë që ta dërgojnë ekipin në Ulqin për t’u stërvitur krejt normalisht për këtë ndeshje. Kuptohet duke menduar se ajo do luhet të mërkurën me shpresë se do përmirësohen kushtet atmosferike dhe fusha e stadiumit “Loro Boriçi” do pastrohet. Pikërisht duke menduar kështu, kuqeblutë do bëhen gati në tokën shqiptare të shtetit malazez. Trajneri Vata e ka konsideruar shumë të rëndësishme përballjen me Skënderbeun sepse vetëm në rast fitoreje me korçarët, Vllaznia ka më shumë shanse se Flamurtari për të kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Çdo rezultat tjetër, do t’i rëndonte jo pak pozitat e kësaj skuadre, që do të thoshte pastaj shkatërrimi përfundimtar i ëndërrave për një vend në Kupat e Europës në fund të sezonit. Prandaj dhe përqendrimi tek sfida e së mërkurës është maksimal.

www.shkodrasport.com