Të hënën nuk ndodhi, madje as dje. Prezantimi I trajnerit Shpëtim Duro është shtyrë sërish. Kryebashkiaku I Shkodrës Lorenc Luka është kthyer nga Italia që mbrëmjen e së dielës por e ka patur mesa duket axhendën e ngarkuar dhe për rrjedhojë nuk ka planifikuar qoftë as 5 minuta për të firmosur me trajnerin dhe për ta prezantuar para mediave. Ndoshta mund të ndodhë sot por kjo shtyrje duket e ekzagjeruar. Me shumë mundësi shtyrja e prezantimit të trajnerit nuk ka të bëjë me mospasjen e kohës në dispozicion nga ana e kryebashkiakut sepse edhe më përpara shumë punë në klubin Vllaznia I ka kryer zëvendësi I tij- Ritvan Troshani. Por ky I fundit, siç kemi bërë të ditur kohët e fundit është tërhequr disi nga funksioni që mban si kryear I bordit mbikëqyrës të shoqërisë aksionere, edhe për shkak të akuzave të shumta që mori dhe ndoshta të pamerituara për dështimin e Vllaznisë në sezonin e fundit. Megjithatë dje Troshani “është rikthyer në punë” tek Vllaznia. Ai për gati 3 orë ka pritur në zyrën e tij administratorin e klubit Shaba, drejtorin sportiv Grima dhe ndonjë tjetër për një çështje që krijoi jo pak tension në lidhje me zëvendësimin e tre trajnerëve të Akademisë, pikërisht Ilir Dibrës, Alban Nogës dhe Entri Çakut. Këta të fundit, të pakënaqur me propozimin për shkarkimin e tyre, sigurisht që janë ankuar në zyrat e Bashkisë dhe kjo ka sjellë jo pak rrëmujë. Megjithatë, duket se në fund është lënë që propozimi I bërë nga këshilli I Trajnerëve të mos miratohet si vendim dhe në orët në vazhdim mund të ketë të tjerë lëvizje. Çka do të thotë se ata vazhdojnë të jenë ende trajnerë me ekipet U-19 dhe U-17. Të paktën për momentin. Megjithatë e rëndësishmë është që nënkryetari Troshani ka filluar të merret prapë me Vllazninë. Ndoshta edhe I detyruar ngaqë Brenda kësaj jave do zhvillohet edhe mbledhja e Këshillit Bashkiak Shkodër, posaçërisht për futbollin ku do të paraqitet edhe bilanci financiar I sezonit që sapo u mbyll, do deklarohen arritjet (në fakt nuk ka asnjë) si dhe dështimet. Raportin duhet ta paraqesë pikërisht n/kryetari Troshani si kryetar I bordit të shoqërisë aksionere. “Rikthimi” I Troshanit në detyrë pranë Vllaznisë natyrisht që është shumë positiv sepse ai është një intelektual shumë I zoti dhe një drejtues I aftë. Me dëshirën e kryebashkiakut Luka për të mos qenë sërish afër sportit, prania e zëvendësit të tij tek Vllaznia është e domosdoshme. Prandaj dhe për ditën e djeshme ky ndoshta është lajmi më I mirë. Nga ana e klubit ndërkohë nuk ka asnjë prononcim nëse do bëhet apo jo sot prezantimi I trajnerit Duro por me shumë të ngjarë kjo gjë do bëhet pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak. Aty ku do ketë marrë rrugë edhe sigurimi I anës financiare për përballimin e merkatos së verës dhe të gjysmës së parë të sezonit. Vllaznia është e vonuar në këtë drejtim por nëse është e tillë, të paktën ajo nuk duhet t’I bëjë punët keq sepse kjo do kishte pasojat e veta edhe më të mëdha sesa ato të sezonit të kaluar. Në gushtin e vitit që shkoi, drejtuesit e Bashkisë u ankuan se e morën ekipin në limitet e merkatos dhe të nisjes së merkatos por në fakt atëherë ekipi 80 për qind ishte I bërë. Ndërkohë tani ekipi vetëm 20 për qind është I bërë sepse pjesa tjetër duhet ngritur nga fillimi dhe kjo nuk do jetë e lehtë.
Gjergj KOLA
FAQJA E PARE FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Vllaznia në vend-numëro por “rikthehet” nënkryetari Troshani