© shkodrasport.com
Vllaznia në volejboll fiton 3-1 miqësoren me Buduçnost
Ekipet e Vllaznisë dhe Buduçnostit në volejboll për meshkuj, kanë zhvilluar një tjetër miqësore në mes tyre. Pas asaj të luajtur pak ditë më parë në Podgoricë, pasditen e së mërkurës ka qenë rradha e kthimit të vizitës për ekipin malazez. Në takimin e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, shkodranët kanë fituar me rezultatin 3-1. Ata kanë fituar dy setet e para me shifrat 25-21 dhe 25-20 ndërsa në të tretin kanë qenë volejbollistët e Buduçnostit që kanë fituar 25-16. Ndërkohë seti I katërt ka patur rivalitet dhe vetëm në fund, Vllaznia ka fituar 27-25 dhe krejt ndeshjen me rezultatin 3-1. Për trajnerin e saj Mark Kroqi, miqësore të tilla I vlejnë skuadrës për t’u përmirësuar sa më tepër në punën e saj dhe po ashtu, ai ka premtuar se të tilla miqësore me ekipin e Buduçnostit do të vijojnë edhe në të ardhmen, falë marëdhënieve të mira që ekzistojnë në mes dy klubeve. “Këto ndeshje besoj se na shërbejnë shumë, natyrisht duke njohur edhe vlerat e ekipit të Buduçnostit, që ka përbërjen më të mirë në këto vitet e fundit. Ne jemi ende në fazën e përmirësimit të lojës tonë dhe prandaj miqësore të tilla them se na vlejnë shumë. Jam i bindur se ndeshjet me Buduçnostin do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, falë marëdhënieve shumë të mira që kemi me drejtuesit e tij. Kjo ndeshje, vjen para sfidës me Tiranën për kampionat, ndeshje që patjetër duhet ta fitojmë në mënyrë që të jemi ende në lojë për pretendimet tona”- ka thënë trajneri Kroqi. Miqësorja me Buduçnostin për ekipin shkodran është ndjekur me interes nga një numër i konsiderueshëm tifozësh shkodranë dhe duhet pranuar se interesi për volejbollin e Vllaznisë ka ardhur duke u rritur kohët e fundit dhe kjo pritet të reflektohet edhe në ndeshjen e së shtunës ndaj Tiranës kur pritet të jenë të pranishëm një numër i konsiderueshëm sportdashësish.