Pas basketbollit, edhe volejbolli I Vllaznisë duket se do të kapet nga “virusi I të huajve”. Drejtuesit e ekipit shkodran mësohet se kanë nisur përpjekjet e tyre për të gjetur ndonjë sportist cilësor që t’I plotësonte ato në rrugën drejt fitimit të titullit kampion dhe të Kupës së Shqipërisë. Por nëse, basketbolli ka zgjedhur amerikanë si përforcim, madje I ka bërë realitet kontratë me tre lojtarë nga ky kontinent I l largët, tek volejbolli po ndiqet një strategji tjetër. Kryesisht ajo për të gjetur ndonjë lojtar nga vendet e Ballkanit. Arsyeja është se vendet e këtij Rajoni kanë një nivel të lartë të këtij sporti dhe prandaj, kanë edhe sportistë të mirë. Po shikohet mundësia për të marrë ndonjë lojtar kryesisht nga Bosnja, ose Mali I Zi dhe Serbia. Deri më tani nuk ka asnjë marrëveshje të arritur por vetëm kontakte. Problemi kryesor është mungesa e menaxherëve në këtë sport dhe kjo sigurisht që e bën disi të vështirë kontaktin me volejbollistët të cilët mund të jenë të lirshëm dhe të gatshëm për të ardhur në Shqipëri. Nevoja për përforcim është e domosdoshme për Vllazninë nëse ajo dëshiron të tentojë fitimin e dy trofeve kjo ngaqë ekipet e tjera si Partizani, Teuta e Studenti, kanë filluar t’I bëjnë realitet blerjet e para në merkaton e dimrit. Shkodranët kanë vite që tentojnë fitimin e titullit por asnjëherë nuk ia kanë arritur dhe për ta bërë këtë gjë sivjet, patjetër që duhen përforcime sepse kontigjenti aktual vetëm me volejbollistë shkodranë nuk mjafton për një gjë të tillë. Tashmë duhet pritur se çfarë do të ndodhë deri në fund të janarit, periudhë kur mbarojnë edhe lëvizjet e merkatos së dimrit.

© shkodrasport.com