Nisja që i ka bërë kampionatit nuk ka qenë ajo e duhura për ekipin e volejbollit të femrave të Vllaznisë. Ka humbur 0-3 në shtëpi ndaj Tiranës dhe në fakt ka qenë një humbje e merituar sepse vajzat shkodrane kanë bërë shumë pak për ta fituar takimin.

Duket se ato janë mposhtuar nga lojtaret me përvojë të kundërshtarit që në momentin kur kanë zbritur në parket. Trajneri Mark Kroqi pas ndeshjes duke folur në lidhje me humbjen, është shprehur:

“Vajzat e Vllaznisë duhet të nxjerrin mësim nga kjo humbje, duhet të mësojnë si luhet volejboll dhe Tirana u dha një leksion të mirë për këtë gjë. Kuptohet që nuk duhet të demoralizohen nga kjo humbje sepse kanë shumë rrugë përpara.

Të mos harrojmë se në ekip kemi vajza 15, 16, 17, 18, 19 vjeçe të cilat kanë shumë për të mësuar. Unë besoj tek ato dhe jam i bindur se do të arrijmë objektivin që kemi”.

Kampionati tashmë ka nisur dhe Vllaznia duhet patjetër që të ndryshojë mënyrën e punës, duhet ta vlerësojë maksimalisht çdo kundërshtar sepse vetëm kështu mund t’ia dalë për të qenë në mes ekipeve më të mira të kampionatit.
© shkodrasport.com